Tumblelog by Soup.io
Newer posts are loading.
You are at the newest post.
Click here to check if anything new just came in.

January 14 2012

17:43

Një libër i ri me poezi nga Erina Pavle Çoku



Gjurma e gjethes

Thuajse gjithnjë, sa herë mendohemi e përpiqemi të gjejmë një përse brenda nesh, erëra fryjnë në thellësi të shpirtit tonë e gjethe shpërndahen.
Ardhjet e të gjitha mëngjeseve janë të bardha, thuajse të pakapshme dhe lënduese, por na  pëlqen të marrim pak qiell kur agu na sjell tejdukshmërinë e jetës.
Ritmi i ngjan pothuaj regëtitjes, frymëmarrjes, një vallëzimi me sy të mbyllur e shpirt të lirë.
Asgjë s’na ndal e asgjë s’na e trazon ecjen këmbëzbathur.
Kudo ka pemë e ti ke lirinë, sepse ti e ke mundur trupin tënd, qenien tënde të zakonshme. Lartësuar prej kësaj rendjeje ku shpirti fiton e ndjenjat paqtohen, gjurmët e pakapshme të gjallimit janë aty e na rrëfejnë për nesër...

Erina



Ardhshёm

Vij,
dhe nuk gjej mё asgjё
paska mbetur vetёm buzёqeshja e mbrame
qё lashё
kur koha dhimbte nё mua

si një sёmbim i sjellë nga vranёsia
si njё dashuri me emёr tё papёshpёritur

Erdha,
dyert kanё ngjyrёn e zbehtё tё harresёs
nuk puthiten mё
veçse rёnkojnё nёn prekjen e butё

aq sa ditёt qё nuk tё njoha
aq sa orёt qё mё mori malli

Do tё vij,
vjeshtueshёm largёsia rёndohet nё heshtje
ditёt ankohen se era fryn e s’marrin dot rrugё
pёr atje, pёr mbёrritshёm...

krejt si zgjimi i njё shpirti
krejt kёndueshёm, mirё e di...

Etem pёr ardhje
mbёshtillem nё njё pritje
kudo, kurdo mund tё tё gjej...

Ardhur kam,
nё labirintin e shpirtit tim tё tё shёtis
ty,
qё veten pyet ku rrugёtesa ime ёshtё

si njёherё...
sa njё hap qё vetёm dёgjohet
stinёs sё padukshme.


Ardhje e ëngjëllt

Ti je bulëza ime,
krijesë mahnitëse e çdo mëngjesi
më përfshin me vështrimin e pamatshëm
që pyet me kthjelltësinë e ujshme të pafajësisë

Ti je qeliza ime e përsosur
e më dhuron sythe delikate të një frymëmarrjeje
që muzikuar e ka shpirtin tim me ardhjen tënde
në këngëzimin e jetës

Ti e përgjallove krejtësinë
që unë ta dua më në fund ajrin
e të gjej së paku një përse....

Është e imja buzëqeshja jote përkundëse,
ndërsa ti vjen me gugatjen e jetës duke më dashur
me shikimin e plotë që e nxë shpirtin tim krejt të ngazëllyer

Je si një qiell i bukur që emër s’i vë dot kush
E shqisa  ime bëhet vrapuese për në ty
teksa dëshirueshëm dua ta rrok qenien tënde të qashtër
Në mëkimin e kohës

Qumësht i ëmbël i vetëdijes
Mëton veç diellin e ngrohtë të së tashmes
e nuk e kursen rrëzëllitjen
Ndaj keq s’më vjen tek i shoh minutat të ngjizen
e të bëhen lodër për gurgullimën tënde
që rrokullisur tej e ka lëngatën e përditshmërisë mahitëse

Ndjesia e bardhë e prehjes buron nga ty,
e ëngjëllt, nanuritëse
Mund ta mbash në duar fluturimin e shpirtit të mëmës
ai i përket gjallimit tënd të lëmuar
që ngazëllen ajrin me aromën e paqtë të përqafimit
E i ka bërë të gjitha fjalët të heshten
Se asnjëra s’di ta thotë
ardhjen tënde
O sythi im i bekuar!


January 07 2012

19:33

DITË NETËT E NJË QENIE PA EMËR

Jerida KULLA


 Jerida KULLA.

Jam lindur në Gramsh, më, 24.07.1976. Studimet e larta i kam kryer në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, Fakulteti Histori- Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.

Për 6 vjet kam dhënë lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe, në shkollën e mesme të përgjithshme “Shefqet Guzi” Gramsh.

Për afro 5 vjet kam punuar redaktore e revistës social-kulturore “Familja”. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kam redaktuar libra me karakter social, shkencor, kulturor e fetar.

Në vitin 2008 botoj librin me poezi e prozë poetike, “Rrugëtim”.

Më pëlqen të shkruaj, të merrem me letërsi. Jam duke punuar për librin e dytë me prozë poetike.

Heshtje. Hapësirë e gjerë, e pafundme, skajet e të cilësduken si mirazhe përvëluese shkretinore, e mbuluar me një mjegull dhe tis tëzi, shtrihet para qenies sime. Më duhet edhe mua të ndërroj ngjyrën e lëkurës,që të bëhem pjesëtare e kësaj mbretërie gri. Endem mjegullnajave pa ditur seç’do të sjellë ora, pa ditur se ç’do të sjellë minuta. Kapem pas vezullimit qëlëshon sekonda.
E shtrëngoj fort, duart më gjakosen, plagë të thella hapen.
Mbretëron tani ngjyra e kuqe. Gjaku im, si një piktor izoti, ka spërkatur grinajën e kësaj bote. Në vendet e gjakosura ngjyra u bë mëe këndshme. Një rozë midis të kuqes dhe vishnjës, një ngjyrë midis perëndimitdhe agimit të diellit. Mishi im u bë prizmi ku përthyhen ngjyrat e jetës. Njëpërflakje e mrekullueshme. E rozta zbuloi monotoninë, grinanjën e këtijrruzulli gjigant. Si një top pingpongu, me të cilën gënjejmë fëmijët kur qajnë,merimangat e kanë rrethuar dhe luajnë etshëm me të.
Luajnë, vetëm luajnë...
E rrotullojnë frikshëm me tentakulat e tyre derisa i merrenmentë. Thërret e çirret, mëshira kërkon, por më kot. Zërat e tyre e trembinzemrën e vogël të këtij shpirti të vuajtur. Kanë zënë shoqe të ngushtëPenelopën, gruan e Odisesë. Së bashku me të thurin pëlhurën më të çuditshme nëbotë. Kërkojnë ta veshin këtë topth, të fshehin mizorisht virtytet e këndshme,të fshehin shpirtin gazmor të tij.
Punojnë dhe qeshin, zgërdhihen me delikatesën e tij. Këmbëtthurin miliona fije njëherësh. Sytë e dalë, të mavijosur, të qelbur, tëskleposur, mbulohen me ca cipa të trasha, të ashpra, të çara në shumë vende,firma e përleshjeve të shumta të kohës me fiset e ndryshme kryengritëse.Qerpikët, ca fije bari të mbjella në këtë baltovinë, përpëliten pa pushim,sikur duan të mbajnë ritmin e punës. Në kohë të caktuar lëshojnë pëlhurën ebërë me këmbët kleçka, fërkojnë sytë e lodhur, gropat e stërmëdha që kanë nëballë.
…Është vetëm një ëndërr e keqe, nga e cila s’po zgjohem dot.Lëkundem midis ankthit dhe qetësisë, duke e shtrënguar me thonjtë e përgjakurshpirtin e vogël, të frikësuar deri në vdekje. Çuditem me të, ç’forcë e kambajtur gjallë deri tani? E prek ngadalë, i flas lehtë. Zgjohet, hap sytë eqelqtë. Pranvera la majat e larta dhe zbriti në kaltërsinë e syve të tij.Rrezja e diellit iu fal përmallshëm pulitjes fëshfëritëse të qepallave, si nganjë erë e ngrohtë agimi. I sigurt se dikush i rri roje, qetësohet. Zemra fillontë punojë normalisht. Shikoj ulje-ngritjet e kraharorit të tij dhe kënaqem, qëmë në fund e shpëtova shpirtin tim nga kthetrat e vdekjes. E marr në krahë, epërkund ëmbël. Pas një qetësie të gjatë, që nuk e di se sa zgjati, u ngrit.Filloi të ecë, të jetojë ditë-netët që Zoti ia fali. Megjithatë diçka e mbanthellë brenda vetes së tij. E pyes herë pas here të më tregojë se çfarë emundon. Vetëm thotë: “Nuk po gjej dot lirinë time. Qetësia pa të është e kotë.”
Niset në udhëtim. Jetën e tij në librin e dhembjes shkruan.Shkruan pa pushim, duke harxhuar tonelata të tëra letre, duke prerë hapësira tëgjera pyjore... Tokën djerrë ca nga ca po e le. Shkruan e shkruan. Penën eushqen me gjakun e vetes; hë, vdekje, nuk paska. E shikoj tek përtyp me dhëmbëvuajtjet që i sollën merimangat. Në një stacion të rruzullit, në gjendje agonietakon Nositin, zogun e liqenit. E kishte parë diku, e kishte parë dikur, por përdreq, as koha, as vendi nuk i kujtohej. Nga një zog i bukur, me një madhështimrekullie, tani një kalbësirë…
I shtrirë aty, në baltovinën e një pellgu, me krahët ehapur, sa gjatë gjerë, sikur të ishte shtrirë në shtratin e mrekullueshëm tëfolesë. Ngjyra e bardhë e pendëve kishte ikur, s’kuptohej se ç’ngjyrë kishinmarrë. Shkëlqimi vezullues, i dikurshmi shkëlqim, kishte humbur, ndoshta përt’i qëndruar besnik ambientit ku ndodhej. Ujë, baltë, llucë fundosëse, shkopinjtë hedhur vende-vende, si për t’u mbrojtur nga përmbytja e madhe e kohës sëNoes. Ndoshta Nositi do të kishte rënë gjatë zbaticës rrënuese, ndoshta era dheuji e kishin sjellë në këtë vend shkretinor. Saharaja do të ishte parajsë parakëtij vendi.
Ftohtë, shumë ftohtë… ftohtësia shtohej edhe me baltovinënkënetore që kutërbonte erë baltë të ndenjur, përzier me lëkurën e kalbur tëshkopinjve. Ndoshta Nositi do t’i kishte vënë ndonjërit shkopinj nën rrota, e,si shpërblim, rrota e fatit e lëshoi këtu. Hamendjet dyshuese do të merrninfund me fjalët e tij.
E ndjeu që dikush po i afrohej. Lëvizi kapakun e syrit, dukelënë që t’i dukej një bardhësi e ftohtë mermeri. Duke mos gjetur dot forca përta çuar deri në fund hapjen e la përgjysmë veprimin. Sytë i mbante të fiksuarnë një vend, në një pikë të pacaktuar. U përpoqa të gjej objektin që kishte përmysafir këtë mik të paçmuar. Kërkonte një pikë shprese ku të kapej, të lahej,të shërohej dhe të fluturonte për të matur liqenin. Çudi! Vetëm njërin symbante gjysmë të hapur. Tjetri nuk dukej fare. Ishte fshehur pas disa puplashtë rëna në ballë. Tina e pellgut, e ngjitur pas tyre, të krijonte përshtypjen enjë vrime të zënë shpejt e shpejt, shkel e shko, në ndonjë andërr muri, ngandonjë çunak murator. M’u kujtuan lojërat e fëmijërisë sime. Nuk e di pse kësajpaçavure të mrekullueshme kërkoja t’i gjeja një autor, një emër të njohurpiktori.
Diçka të tillë e kisha parë para shumë kohësh, por s’isha esigurt në isha zgjuar apo në gjumë. Hija e dyshimit, u rrit aq shumë, sa nuk mëlinte të merrja frymë, duke m’u mbledhur si lëmsh, pikërisht në vrimën e fytit,aty ku gjuha në ndonjë rast është e pafuqishme për të të dhënë jetë. Kujt t’iflisja?! Kë të pyesja?! Atje, vetëm unë dhe ky shpend i qelbur ishte. Nuk kishaasnjë dëshmitar që të pohonte ekzistencën time në këtë vend, në këtë kohë.
- Ku jemi? - e pyeta.
Asnjë përgjigje. Prita pak dhe e pyeta përsëri.
- Si quhet ky vend?
Me duket sikur puplat kërkonin të flisnin para gojës. Udrodhën sikur t’i zinte korrenti. Më kot prita përgjigjen. Në qenien time filloitë shëtiste e qetë ndjenja e frikës dhe e padurimit.
- Sa kokëfortë dhe i paedukuar qenka!- mendova me vete.
E ngacmova, asnjë kundërpërgjigje. Ndoshta ngordhi mepyetjen time?!
Çudi, ai deri tani ishte i gjallë, lëvizte, madje hapinjërin sy, - flisja me vete ose më saktë me një të tretë. E kërkoja me nguttani një të tretë. Gjithmonë kam dëgjuar: “I treti të prish punë, i treti itepërmi!”
Praninë e tij e dëshiroja ose më saktë e desha të mëzgjidhte këtë problem, pastaj le të ikte. Isha mësuar të kisha gjithmonë sishoqe veten time, unë dhe hija ime. Mjaftonin dy. I treti gjithmonë ka qenë itepërt. Po tani, ku ta gjeja?
Tani, që gjeta zogun, nuk po gjej dot veten time.Rrotullohesha sa nga njëra anë, sa nga tjetra, por më kot, s’e kapja, që s’e kapjahijen time. Kërkon të luajë me mua.
Si gjithmonë, sa herë që mërzitet, këtë marifet bën. Qeshjasi e çmendur, ca nga frika, ca nga padurimi, ca nga injoranca e pyetjes qekisha bërë më parë.
- Ndoshta ngordhi me pyetjen time?!
Kujt ia bëja këtë bëja pyetje? Vetes? Kërkoja t’i mbushjamendjen mendjes sime. Po si t’ia mbushja, si t’ia lija ashtu të zbrazur, përmua njëlloj ishte. Unë isha aty, pa njeri, pa ndonjë pemë a objekt rrotull.Ngado kishte vetëm baltë. Por edhe sikur ta merrja baltën si objekt referimi,kjo nuk do të zgjidhte asgjë. Trupi im, plaçkat e mia ishin gjithë baltë. Nukmë kujtohej se ku i kisha marrë. Tani që e mendoj, të gjitha vendet njëlloj mëdukeshin. Për një gjë isha e sigurt, se me të vajtur në shtëpi, gjithçka do tëzgjidhej, do të bëja një dush të mirë megjithë tesha, kështu që balta do tëlargohej. Më pas ato do t’i ruaja si relike të një udhëtimi pafund. Po hajdegjeje shtëpinë.
Ku e lashë? Kur e lashë? A do ta gjej kur të kthehem apo dheajo do të jetë bërë pis? Vrisja mendjen se ku do e gjeja gjithë atë ujë që talaja. U kujtova se afër shtëpisë sime kalonte një lumë. Vërtet në verë s’kishteshumë ujë, por unë vendosa ta laja në dimër. Po me se do ta sillja ujin deriatje?
U thinja duke vrarë mendjen. Sa e lehtë ishte përgjigjja dhesa shumë u lodha.
- Me markushshsh….!
-Euuuureeeekaaaa!- thirra me sa kisha në kokë. U nisa tëkërkoj lumin, që do të pastronte baltën e kohërave të hedhura pa mëshirë mbiplaçkat e mia, mbi trupin tim.
Koha, si një shtrigë e vjetër luajti me mua, duke më hedhurcep më cep, brinjë më brinjë, mal më mal. Luajti duke më fshikulluar meshigjeta helmesh e brengash zhurmëmëdha, jehona e të cilave kumbon në portat eqenies sime, aty ku ruhet ekzistenca e saj.
Me kapilarët e gjakut do të krijoj markushin më të bukur nëbotë. Do të laj veten time, së bashku me miqtë udhëtarë, do t’i bëj të pastërsi qelibar, ku dhe loti do të ndiejë zili sa herë që të shikohet në mëngjes.Ndoshta shtëpia do të jetë e vogël e s’ka për të na nxënë të gjithëve.Megjithatë do të jetojmë ditë-netët që Zoti na fali me dashuri. Deri atëherëduhet bërë një rrugë e gjatë, ku Sizifi do na shoqërojë duke na treguarhistoritë e lashta njerëzore.





19:24

...kërkojmë vetminë e vëllait tonë!

Nga 



Ese/ Poezia jonë e sotme e ka frymën dhe ngjyrën origjinale dhe të vërtetën e vet të veçantë
Në sistemin e të menduarit poetik, tashmë të formuar dhe me mbështetje të fortë në rrjedhat jetësore të botës sonë dinamike dhe plot ngjarje të ndërlikuara, si dhe në përgjithësi më natyrën artistike të poezisë së sotme shqiptare si sistem më vete, ka pjesë të veçanta, nyje ende të pazgjidhura dhe vlime karakteristike që ngërthen më vete ky sistem, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, në të cilat poezia jonë shënoi disa risi dhe kthesa artistike. Ato ndonjëherë kanë të bëjnë me këtë apo atë autor, por në shumicën e rasteve përkojnë me realizimet apo veprat konkrete, me prirjet individuale, mjeshtërinë e shtjellimit apo thellësinë e të menduarit. Prandaj, sot mund të ndalemi apo të përqendrohemi vetëm në analizimin e elementeve të drejtpërdrejta, të atyre që na paraqiten qartë, në një rrjedhë poetike pa vorbuj, pa nyje. Natyra e poezisë sonë të sotme dhe sistemi, apo sistemet e të menduarit të saj, sot kërkojnë një përqendrim dhe kredhje më të thellë, një gërmim më të vendosur si në thellësi ashtu edhe në gjerësi. Ajo nuk zbulohet vetëm me konstatimin e një ane apo segmenti. Prandaj, më shumë se kurdoherë deri më sot na imponohet e vërteta se kemi edhe shumë detyrime kur është fjala për zbulimin e tipareve artistike dhe vlerave të kulluara, të rëndësishme për tërësinë e saj, për një poezi sikundër e kemi, komplekse dhe pa dyshim plot shtresime artistike.
Si tërësi e një sistemi gjuhësor dhe poetik, poezia jonë e sotme e ka frymën dhe ngjyrën origjinale dhe të vërtetën e vet të veçantë, pa marrë parasysh faktin se ajo qëndron e hapur ndaj sistemeve të tjera të kohës së vet, dhe në këtë mënyrë pasurohet, apo edhe vetë përkon me sistemin e përgjithshëm të përvojës dhe artit poetik bashkëkohor, ndaj edhe kalon nëpër procese të ngjashme.
Ndoshta nuk ka nevojë që këto fakte t'i vëmë në pah, apo t'i provojmë me ndonjë shembull apo dëshmi konkrete. Mirëpo, përsiatjet e tilla na imponohen gjithnjë më shumë, ngase këto të vërteta përkojnë ndjeshmërinë tonë të re, me trajtat pak si të ndryshuara të të menduarit me vargje, me emocionet e zhdrivilluara dhe botën tonë shpirtërore mjaft të ndryshuar, me shijen tonë dhe tiparet e ngjyrat e veçanta të paraqitura në vepra poetike të mirëfillta, në vazhdën e pjekurisë së fjalës poetike shqipe, ku pasqyrohet një nivel i konsiderueshëm i artit poetik të kulluar.
Prandaj, për cilindo nga poetët tanë që të flasim, mendimi ynë ka për të përkuar me ndonjërën nga këto pjesë të pashkëputshme të këtij sistemi poetik të formuar, më të pjekur se kurdoherë më parë; me këtë frymë të re dhe të kulluar të fjalës poetike shqipe,e cila, natyrisht, nënkupton koherencën, Iidhmërinë me traditën, por e ka edhe mëvehtësinë. Për këtë dhe për shumë arsye të tjera, ne flasim apo e analizojmë veprën përkatëse të një individi krijues, poetikën dhe artin e tij, mjeshtërinë që ka etj., por e kemi parasysh, me plot arsye, edhe tërësinë e poezisë sonë dhe vendin që i takon apo që na duhet t'ia caktojmë autorit apo veprës përkatëse në këtë tërësi. Flasim për ndonjërën nga përmasat e saj, e cila në momentin përkatës na duket e rëndësishme, apo më e dalluar, ose, përgjithësisht, për figurën dhe botën e ndonjë poeti tanë si krijues, si individ që zotohet për krijimin e shtimin e një bote të artit, e në fakt, përmes kësaj, flasim për karakterin, arritjet dhe prosedetë e përgjithshme në poezinë tonë si tërësi. E kjo, qoftë kur e lidhim për rrjedhat e përgjithshme, qoftë kur përkon vetëm me një autor, një poet apo një vepër të tij poetike, do të thotë se flasim, me trajta specifike të poezisë, pra me trajta të drejtpërdrejta apo të tërthorta, për vetveten, për diçka që ka ngjarë apo që po ngjan në qenien tonë krijuese intelektuale, apo edhe në jetën tonë sociale, fizike apo shpirtërore, plot vlime, kërshëri, kërkime, ëndrra dhe zotime specifike krijuese.
Si pjesë karakteristike e këtij sistemi të formuar të të menduarit dhe të krijimtarisë poetike, poezia e Ali Podrimjes, marrë në tërësi, me një motivikë të pasur që ngërthen më vete, me shprehjen e saj të dendur e të veçantë, por edhe me tërë kontradiktat që ka, me baticat dhe zbaticat e periudhës së fillimit, si dhe me prirjen e zhytjes në një filozofi specifike poetike, prirjen për të krijuar kulla „të mbyllura", apo fortesa fjalësh, është posaçërisht interesante dhe pa dyshim e përshtatshme për ta provuar veçantinë e sistemit të të menduarit poetik te ne, apo provat e një poezie, e cila mjaft dukshëm anon kah ajo filozofike.
Natyrisht, fjala është vetëm për një segment, për një vepër, apo edhe për karakteristikat poetike të një individualiteti poetik. Me të nuk shkoqitet tërë kompleksiteti i këtij sistemi, as nuk provohen natyra dhe karakteri i poezisë sonë aq të nduarnduarshme, por, megjithatë, paraqitet një komponentë e saj e rëndësishme, zbulohen dhe provohen disa nga veçoritë e saj, vihen në pah disa nga kërkesat e domosdoshme që ka dhe paraqiten, artistikisht të shpjeguara apo edhe të pashpjeguara, disa nga kahjet e saj të sotme. E kjo, pa dyshim, e ka peshën dhe rëndësinë e vet specifike letrare.
Si poet i një natyre, fryme dhe cilësie të vetëvetishme krijuese, Ali Podrimja pa dyshim është një individualitet i formuar dhe karakteristik. Ai e ka botën e vet specifike të motiveve, të kontradiktave personale, me mbështetje në përjetimet subjektive apo objektive, por gjithsesi jetësore; ka botëkuptimet dhe shijen vetanake, fakturën poetike të veçantë dhe mënyrën mjaft depërtuese për t'i mishëruar frytet dhe mendimet e veta poetike me atë kompleksin e përgjithshëm, apo në atë që e marrim si nivel i arritur dhe sistem specifik dhe i formuar i poezisë së sotme shqiptare.
Vërtet, vjershat e Podrimjes ndonjëherë nuk janë të lehta për t’i kuptuar. Jo rrallë ato kanë natyrë organizmash të mbyllura, të hermetizuara në qenien apo trajtën e vet ekzistuese, të mbarë, por për ne mbase të pakapshme në të parën, ndaj shëmbëllejnë, si të themi, me rrymat nëntokësore të ujërave, të cilat janë dhe, ndonëse ne nuk e njohim esencën e natyrës që kanë, shpërthejnë, madje shpesh me një fuqi e kuptimësi të papritur të fuqishme, por edhe joshëse. Sido që të jetë, vjershat e tij prapë na bëjnë për vete, duke na sugjeruar një botë motivesh jo të zakonshme dhe të veçanta. Kërkojnë përqendrim dhe, po qe se i lexojmë me përkushtimin e duhur, këto “organizma të mbyllura” s'kursejnë ta zbulojnë frymën dhe gjallërinë e vet jetësore, kështu që poeti në fakt na e shpërblen mundin, me bukurinë e shtjellimit dhe Iaryshinë e ngjyrave aq të veçanta që zbulojmë, me motivikën e pasur që ka dhe me pasurinë e botës së mendimeve dhe emocioneve që tash na del e theksuar.
Pra, Ali Podrimja është një nga poetët tanë të sotëm më të talentuar dhe për lexuesin mbase më të ndërlikuar, i cili, pos veçorive të tjera poetike, vëmendjen tonë e tërheq edhe me veçantinë e të menduarit dhe të shtjellimit poetik, me raportin ndaj traditës, me filozofinë poetike si dhe me produktivitetin e tij. Me një sensibilitet të dalluar dhe prirje të spikatur për variacione poetike ai gjithnjë, prej njërës në tjetrën përmbledhje, është jo i zakonshëm, poet i cili vazhdën e fjalës së vet nuk e mbështet vetëm në rrjedhat e njohura të përvojës sonë, por në një përvojë dhe horizont poetik të zgjeruar, prore jashtë suazave të së zakonshmes, jashtë rrjedhave të fjalës poetike me të cilat jemi mësuar. Ndoshta këtu edhe qëndron arsyeja pse na duket se në të gjitha përmbledhjet e poezive që ka botuar ai deri më tash, mund të gjejmë jo një, por “disa poetë”, apo më mirë disa fizionomi të një poetit të thuash asnjëherë jo të njëjtë, ngase Podrimja me lehtësi e lakon unin e vet poetik në rasa kohe e përvoje artistike, sipas imperativit të pozitës, të procesit të saj përherë të gjallë krijues, sipas frymëzimit dhe shkallës së pjekurisë që arrin. Prandaj, çdo përmbledhje e tij e re njëkohësisht është edhe vazhdë e indit poetik të filluar edhe pasurim përmes eksperimenteve, por edhe pasurim me trajta e thelb fare të ri, të një dore e fryme poetike të veçantë, e ndoshta vepër më vete, sepse jo rrallë poeti bën kapërcime, shqetësimet e brendshme mendore nuk e lënë të qetë, ndaj e shohim nëpër ishujt e përvojës poetike të re, në stinë kohe apo jete që caktohen me disponimin e tij poetik, e gjejmë në ikje prej shiut apo prej njeriut, në marshim tehut të shpatës apo tehut të fjalës, po ashtu sikundër që mund ta gjejmë në punën e tij plot përkushtim, duke gdhendur emrin e njeriut në gur, duke iu qasur njeriut me dashuri, duke e parë atë si lindje të madhe, si vogëlush me emër të çuditshëm, i djegur etjesh, i përvëluar brengësh, por në të vërtetë ndjellamirë. Sepse Ali Podrimja prore është, qëndron dhe vazhdon të jetë i kredhur në mendime mbi botën dhe njeriun e sotëm. Kjo qëndron në natyrën e tij. Prandaj edhe e shohim dhe vazhdimisht e zbulojmë edhe si prolog, por edhe si epilog komunikimi të tij poetik me ne, edhe si hyrje, por edhe si përfundim i kuvendimeve të poetit me vetveten. Për çka vallë? Për ishujt ku kërkojmë vetminë e vëllait tonë të madh Robinsonit, për enigmën e etjeve që na djegin e përvlojnë, për frikën e qiellit që na përbin, për ditën që ka harruar të çelë, për sëmundjet që bredhin shtigjeve magjike të qenies sonë të fshehtë, për kundërshtimet dhe mallkimin e njeriut që bartën brez pas brezi? Apo për gjëra që ngjajnë përtej dhimbjes, përtej mallkimit. Për ikjen e pëllumbave, lojën e dritave, apo lojën ku “guri im rrokulliset”, për hapësirat e pafund, ato që s'kryhen dhe s'kanë të mbaruar, në të cilat ngazëllimi dhe ëndrra e njeriut vazhdojnë, si edhe mashtrimet, dyshimet etj. por edhe në këtë e atë, edhe në çdo rast deri te kredoja e poetit, deri te Kulla e tij çon “udha e panjohur”, sepse: si në tërë opusin e tij poetik ashtu edhe këtu Podrimja e hap dhe mbyll peizazhin jo me shpatën e zhgënjimit, as me fishekzare ngazëllimi poetik, po me Çelësin e mendimit, duke qenë fare i vetëdijshëm se “dikund në mes meje e botës / tufa kullot ëndrrat”, se Fshehtësisë s’ia gjen dot dumin, se s’gjendet dot përgjigjja për pyetjet që shtron jeta, apo atyre që shtron njeriu i ballafaquar me gjithësinë dhe enigmën e jetës dhe të vdekjes; pse një mbretëri ndjek një mizë, pse kjo botë “tash duket tash s'duket” mbështillet e s’lidhet, dhe bie në gjumë, dhe mbetet enigmë, botë deri te e cila poetin e çon: udha e panjohur.
Në poezinë e tij, pra, ekziston një ind karakteristik mendor, i cili përkon me frymën e përgjithshme dhe kredon e Podrimjes. Këtë ind kemi mundur ta vërejmë te Podrimja i ri i fillimeve, por edhe te ai me përvojë krijuese, i cili e pasuron gjuhën dhe mënyrën e të menduarit, pasuron përvojën e cila tash më nuk përkon vetëm me ditët dhe netët e zakonshme të jetës që çon çdo njeri, pra të realitetit konkret, por përkon, më gjerë, me çaste jete të përvëluar të vetë poetit, i cili mishëron jetën e sivëllezërve të tij të mëdhenj apo të vegjël, qofshin ata që përmend drejtpërdrejt, si Hamleti, Robinsoni etj. qofshin edhe shumë të tjerë që nuk i përmend. por i nënkupton, si poet i brengosur për mbarë jetën e njerëzve, sidomos atyre të së sotmes. Prandaj, përmbledhja Sampo II ka lidhje përmbajtësore, motivike dht ideore me përmbledhjen Sampo I, por edhe me akcilët tërësi poetike të Podrimjes, sepse edhe kjo është njt kontribut për ndërtimin e kullës së tij poetike, edhe kjo, Sampo II, pjesë e ëndrrës që vazhdon, e artit poetik që nuk ka të shterur.
As më parë as këtu Podrimja nuk nguron, nuk ka frikë nga fjalët. Gjuha te ai nuk është vetëm një mjet i zakonshëm i shtjellimit, por mundësi krijuese për t’i shfrytëzuar, për të depërtuar në botën e ndërlikuar dhe plot fshehtësi, plot nyje enigmatike të njeriut, të Robinsonit të gjorë apo Hamletit të sëmurë, sepse, vërtet, e jeta kërkon shumë, ndërsa jep pak. Prandaj, poezia hyrëse e Sampos tingëllon aktuale edhe në Sampo II, ngase poetikisht fuqishëm e fikson pozitën tragjike dhe dilemën hamletiane bashkëkohore të njeriut, të vetë poetit...
Kjo, në fakt, është enigma kurrë e zgjidhur e ekzistimit të njeriut dhe ballafaqimit të tij me himerat, me zhbindët e padukshëm dhe të rreziqeve që i kanosen. Aty Podrimja njësoj e sheh edhe Robinsonin fatlum edhe Hamletin fatkeq, apo anasjelltas, sikundër edhe vetveten, të zhytur në kërkimin e shtegut të vërtetë për t’ia sqaruar vetes jetën si lumë që ka përjetësinë t rrjedhjes së vet, ndaj edhe bukurinë, por njëherësh ndryn më vete edhe sekretin e vdekjes, e cila gjithnjë përgjon dhe është, të thuash, e pranishme. Pra, fjalët për të janë lënda magjike për ta arritur “alkiminë e poezisë”, lëndë që shton radiusin e mendimeve me të cilat duhet kredhur në thellësitë më të largëta të botës psikike të mikrokozmit të ashtuquajtur Njeri. E, kjo i shërben një qëllimi të veçantë që ka Podrimja. Sepse kështu ai, duke e vërejtur madhështinë e tij, stuhinë e shpirtit, tmerret e tragjikës që përjeton dhe është i destinuar.
E kjo dashje e tij, e babait tonë, e ashtit nga i cili ka lindur fisi dhe gjaku ynë, buron nga lashtësia. Stërprindi ynë, i Hamletëve dhe i Robinsonëve tanë, e le të shtojmë, edhe i Don Kishotëve tanë, pikërisht atëherë, në atë kohë të stërlashtë që s’e kap dot mendja e thjeshtë “gurin e rënd në themel ka vënë” dhe ky gur ka qenë gur i përrallave, pra mishërim i së bukurës, asaj që të këndell dhe të jep jetë e fuqi. Këtë stërgjysh, apo babain tonë të lirikës së Podrimjes ne e shohim si njeri fare real, edhe në takim me zotin, edhe në takim me djajtë, e shohim si “kambësor kohësh të serta”, viga dhe të përjetshëm. Këtu e shohim edhe metaforën magjike, mjeshtërore, të qëndresës, sepse ajo kulla që “është ngritur njëmijë vjet / mbi një asht mbi një emër” është simbol i unit tonë dhe besimit. Ajo flet “për shkak të dashurisë” dhe flet “për shkak të urrejtjes”, jo vetëm pse prore “Ujku hynte në përrallat tona”, por pse realiteti ku kemi jetuar, apo ku kanë jetuar brezat e fisit tanë, i ka pasur dhëmbët e ujkut gjakpirës, ndaj prore vdiste ndokush në Kullë, vdiste njeriu në vatrat dhe në trevat tona, vdiste dhe lartësohej mbi eshtrat dhe përtej vdekjes; vdiste, por “jeton i gjallë në mermerin e historisë”, sepse kurrë “nuk ka vdekur në gjunj” dhe ne qe e njohim dhe e rikujtojmë jo vetëm në këngën e kreshnikëve, por edhe në këngëtimin e poetit tonë, të frymëzuar nga goja dhe historia e popullit, por të frymëzuar në një mënyrë vërtet origjinale, kuptimplote.
Natyrisht, Podrimja na paraqitet edhe si poet dilemash. Ai beson, por edhe dyshon. Ai përjeton thellë dhe sinqerisht, dhe rrëfen pa ngurim e sinqerisht. Edhe besimin edhe dyshimet i mbështet në përvojën e njeriut jo të një kohe të kufizuar, por të një distance e jete pa kufi, në të cilën ai ishte viktimë e shpeshtë, por edhe luftëtar i paepur i cili synonte lirinë dhe kuptimin e jetës e shkrinte në këto synime. Ai kaloi shekuj dhelprash, provoi dhe ditët e egra kur të thuash ishte njësoj:
“Të rrosh apo të mos rrosh" dhe kur secila natë dukej e mbramë, secila ditë e fundit, sepse lindin njerëz e djaj njësoj, me fytyrën e bishës, por edhe me atë të Njeriut. Poeti këtë njeri e sheh si kalorës shekujsh, pohon bukurinë imperative të tyre “të bukur jini kalorsit e mi të bukur jini”, por edhe ironizon, godet me thumbin e një sarkazme:

Po sytë
po sytë në ballë
si ju lanë
 Podrimja, sado që mbyllet në kullën e fjalës dhe të ritmit të saj të fshehtë, në rrjedhat e saj sekrete, komunikon dhe rrëfen në një mënyrë, e cila mundëson zbulimin e mendimit. Fjalët më të shpeshta, apo më mirë simboli më i shpeshtë që shfrytëzon, janë: lumi, guaska, ishulli, sëmundja, dhimbja, folja, gjarpri, djalli, zoti, brigjet, përralla, ashti, gjurmët, heshtja etj. dhe përmes tyre pa shumë vështirësi mund ta zbërthejmë tërë botën e personifikuar dhe kahjet e mendimeve të Podrimjes si poet, apo kahjet e përfundimeve të tija si filozof poezie. Mbase mund të gjenden edhe shembuj të tjerë karakteristikë, por poezia Bota u soll rreth boshtit të vet e kësaj përmbledhjeje është një shembull mjaft karakteristik në këtë drejtim. Jo më pak karakteristike si nuancime filozofike dhe ndryshesa të një mendimi, të cilin e shohim ind të kuq në tërë poezinë e tij, janë edhe poezitë si E njerëzit udhëtuan në një cirk të madh të Hiçit, Vdekja buzë Iumit, Ndjenja, A ju dëgjon harrimi etj. si Të vdekurit, ku në disa vargje sublimohet një botë e tërë mendimesh për jetën e pajetuar.
Në poezinë e Podrimjes, edhe më përpara, por sidomos tash në Sampo II, ku ai bën zgjedhjen e shkëndijave kyçe të mejtimit poetik, njësohen përralla me jetën dhe jeta me Iegjendën, njësohet ëndrra me realitetin dhe realiteti me këngën, e kënga me faktin e jetuar. Bota është tejet e madhe dhe tejet e vogël dhe poeti qëndron në të si një fije kashte në stuhi. Kumbojnë simbolet karakteristike të fëmijërisë, bukuria që gëzoi, mosha e hershme, por edhe elementet që përkojnë me anën tjetër, të shëmtuar, me travajet e dhimbjen e Njeriut. Por, Podrimja vështrimin nuk e kthen pas, por e ka të drejtuar gjithnjë kah ardhmëria. Të kaluarën e dend në subjekt dhe e analizon përmes vetes dhe ashtit të vet, realitetin e konkretizon dhe kridhet në të për ta pohuar, ndërsa të gjitha këto i bën për të ndjellë ardhmërinë dhe për ta përqendruar vëmendjen në të si ideal. Në vegimin e tij poetik kudo shihen gjurmët e së kaluarës, por vetëm si gjurmë, bile në të shumtën e rasteve si gjurmë që shpjegojnë mallkimin dhe në disa raste të veçanta gjurmë që mbështesin krenarinë kombëtare dhe historike, por në kontekstin e përgjithshëm baza e poezisë së tij është bashkëkohësia, ndërsa potenciali dhe fryma e saj është përqendrimi në të ardhmen. Prandaj edhe mund të pohojmë se në këtë poezi, marrë në përgjithësi, kemi të bëjmë me një shkrirje, apo më mirë ngjizje të mençurisë dhe përvojës popullore, të cilat qëndrojnë të mishëruara në përrallat dhe legjendat e popullit, poaq sa edhe në poezinë e tij, me ndjeshmërinë e njeriut të sotëm, të poetit dhe të qenieve që mishëron ai, apo më mirë me dramën e ekzistimit dhe të ballafaqimeve me probleme të mëdha jete në këtë kohë. Në prizmin në të cilin na i ofron këto motive e tema të vjershave, Podrimja është pa dyshim i veçantë. Ai ka përparësi në këtë drejtim, ngase ligjërimi i tij është lirik dhe ai kujdeset që të mos dalë nga suazat e lirikës, por 17 kanalizoi sipas urdhrit të artit poetik modern. Prandaj edhe në Sampo II, si edhe në përmbledhje të tjera, e shohim fijen e pashkëputshme të një kontinuiteti logjik dhe të një natyre thjesht moderne të poezisë së tij.

November 14 2011

November 12 2011

November 09 2011

19:29

Rri urtë o brenga ime...


Një tufë poezish franceze, sprova rinore të përkthyesit Vedat Kokona të përmbledhur në librin “Lule të pavenitura”, që panë dritën e botimit në 2006, ruajnë gjurmën e freskët në impresionet e përkthyesit për të cilat pat thënë:...atëherë sapo kisha filluar të çapitesha dhe të bridhja në lulishten e poezisë franceze, kur lija mënjanë, me gëzim po edhe me pendim, problemet e gjeometrisë apo të fizikës, lodroja lëndinave poetike dhe dehesha me nektarin e vargjeve të Lamartinit, Hygojt e sidomos Mysesë...nuk më shkonte asnjë t’imtë ndër mend se një ditë, buzë mbrëmje së pleqërisë, do t’i mblidhja lulet e këputura ende të njoma dhe të pikuara me vesën e mëngjesit për t’i bërë një tufë...

Charles Baudelaire (1821-1867)

Rri  urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë;
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani;
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin,
 Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi.

Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë,
 Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
 Të poshtër zhgryhen krejt ndërsa pendime u vinë,
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri

Larg tyre. Shih si kërrusen gjith' vjetët e harruar
Lart nga ballkoni i qiellit me petka të vjetruar,
 Si ngrihet Mall'i hidhur nga ujrat buzëgaz;

Nën urë Diell i mekur si bje kur vjen ndajnata
Dhe, si qefin në Lindje, nga hijet ndjekur pas,
Dëgjo, dëgjo, e dashur, si ecë e ëmbël Nata.


Feux Arvers (1806-1850)

Në shpirt kam një të fshehtë

Në shpirt kam një të fshehtë dhe një mister në jetë;
 Një dashuri e zjarrt' në çast m'u ndez në gji;
Brenga s'më ka shërim, andaj e mbaj të fshehtë,
Edhe ajo që e ndezi misterin nuk ma di.

Oji! Posi një hije nga pas un do t'i rri,
 Ngaherë pranë saj, por prapë fill i vetë,
 Gjersa një ditë sytë un do t'i mbyll përjetë
Pa thënë gjysmë fjalë nga gjithë kjo dashuri.

Ajo, që Zoti e bëri të butëzë si shtjerrë,
 Udhës do të kalojë pa vënë re, pa ndjerë,
Se ne çdo hap të saj ky shpirt do psherëtijë.

Besnike ndaj kurorës, e pastër, e kulluar,
 Do thotë këta vargje pasi t'i ketë kënduar:
"Cila të jet' kjo grua?" dhe kurrë s'do ta dijë!



PIERRE CORNEILLE (1606-1684)

Sidi
(fragment)

AKTI II, SKENA IV

DON DIEGU
O turp! o ditë e zezë! u shofsh, moj pleqëri!
Gjer sot mos kam jetuar veç për ket poshtërsi?
 Në fushat e betejës mos vallë unë u thinja
Të shoh brenda një dite të fishken aq dafina?
 Ky krah, te cilin Spanja sodiste me nderim,
Ky krah, që sa e sa herë shpëtoi perandorinë,
Dhe fron'i mbretërisë sa ish ai s'u lua
Në balt' sot të më lërë e s'bën asgjë për mua?
Oh, sa më qan kjo zemër për një lavdi të shkuar!
Veprën e kaqë ditëve një ditë e ka rrënuar!
Kjo shkallë ku u ngrita ç'ma prishi lumturinë,
Nga nderi im i shtrenjtë bie si në greminë.
Atje kur te arrijë un Kontin ta shikoj
 Të vdes pa marrë gjakun, ose me turp të rroj?
O Kont, governator i princit ji ti sot,
 Se një njeri pa nder kjo gradë s'pranon dot;
Edhe zilia jote që më varros të gjallë
Dhe pse mbreti më zgjodhi, më zbret nga ajo shkallë.
Dhe ti, e trimërive o vegël lavdiplotë,
Por sot e trupit akull veç një stoli e kotë,
O shpatë e lemeritshme kur të vërtitja unë,
Që, kur ma muar nderin s'më hyre aspak në punë,
Shko, ikë tani shpejt nga kjo dorë e pështire,
Kalo, për të shpaguar në dorën më të mirë!

SKENA V

(Don Diego, Don Rodrigue)


DON DIEGU
Rodrig, a më je burrë?

DON RODRJGU
Veç teje kush të dojë
Të vijë e ta provojë!

DON DIEGU
Të lumtë ajo gojë!
Por dhembjen s'ma shëron, o bir, ky zemërim!
Në pezmin tënd fisnik e njoh sot gjakun tim!
Gjithë rinia ime rilind në këtë flakë,
Pa eja, bir, pa eja që të shpagosh tët atë,
Pa eja ma laj turpin.

DON RODRIGU
Çfarë turp?

DON DIEGU
Shuplakë e shkretë
Sot nderin e shtëpisë na nxin, o bir, përjetë:
Atë që pat guximin s'e lija, besa, gjallë,
Por pleqëri e zezë nuk mundi t'i bëj' ballë!
Dhe shpatën që kjo dorë e zonja s'eshtë ta mbajë
Ja ku ta jap, o bir, që turpin të na lajë!
Më një kapadai shko të luftosh ti fill,
 Se vetëm gjaku e lan një poshtërim të tillë.
 Vra, o vdis. Por ki mendjen, mos u hidh me rrëmbim:
Armiku që të jap, ta dish, ësht burrë trim;
Gjithë gjak e gjithë pluhur me sytë e mi e kam parë
 Kur kallte lemerinë ndër mijëra ushtarë;
Kam parë si vërsulej e hidhej drejt në sulm,
Edhe ta dish, jo veç që ësht luftar plot zulmë,
 Jo veç një trim i madh në fushat e betejës, Por ësht...

DON RODRIGU
Të lutem, thuamë.

DON DIEGU
I ati i Kimenës.

DON RODRIGU
I a....

DON DIEGU
Oh, jo, mos folë, e di që e do shumë,
Por kush jeton me turp të mbytetë në lumë.
 Sa më shum' që ta duam atë që na ka fyer
M'e madhe është fyerja; detyrën e kam kryer;
 S'të them më asnjë fjalë; shpagohu dhe shpagomë,
Në je vërtet im bir këtë ti sot tregomë.
I mbytur në mjerim ku fati më ka hedhur,
Me lot un do ta qaj. Shko, ik, vrapo, shpëtomë.

SKENA VI
DON RODRIGU
O, se ç'më ther kjo zemra ime
Nga një shigjetë e mortshme që m'erdhi pa kujtuar,
 Në mes të dashurisë e nderit kam qëndruar,
E shoh se fati i hidhur më shtie në mjerime;
Kam mbetur si i ngrirë dhe zemra e sfilitur
Për vdekje është goditur;
 Ky fat i zi sa keq më ka mashtruar,
 O zot, kështu ç'më gjen!
Në këtë turp im atë ësht poshtëruar
Dhe poshtëruesi yt atë ësht, moj Kimenë!
Në shpirtin tim po zien beteja!
Në nderin dashuria ka hyrë dhe bën pjesë:
 Më duhet të marr gjakun edhe ta prish fejesë
Njeri më shtyn të vritem, tjetra më thotë: "eja!"
Dy udh' më kanë mbetur, o zemrën ta tradhëtoj,
Ose me turp të rroj;
Ngado të shkoj ky helm nuk ka të shuar,
0 zot, kështu ç'më gjen!
A mund të lihet turpi pa u dënuar?
A duhet vrarë yt atë, moj Kimenë?
Baba, mikesh', nder, dashuri,
 Detyrë e shenjtë, e ashpër, e ëmbël tirani,
 Të gjitha ëndjet shuhen, ose s'ka më lavdi,
Njëri më vret dhe tjetra më mbyt në poshtërsi.
Shpresë e ëmbël dhe hidhur e shpirtit trimëror
Po edhe dashuror,
Armik që sot ti jetën po ma nxin,
Shpat' që në dor' me vjen,
A mos m'u dhe ta laj un nderin tim,
 A mos m'u dhe që ta humbas Kimenë?
Më mirë vdekjen të kërkoj:
I detyroj mikeshës po aq sa atit tim:
Sikur ta laj un turpin më pret një zemërim,
Ose përbuzjen pres tim at' po mos shpagoj.
Nga shpresa ime e ëmbël që sot do të largohem,
Ose do turpërohem;
Më kot mundohem helmin që ta tres: E liga prap më gjen;
Po hajde, pra, moj zemër, dhe pse vdes,
Më mirë vdes pa fyerë Kimenë.
Të vdes un turpin pa e larë!
Dhe vdekja gjithë jetën të ma shuaj' lavdinë!
 Dhe të pranoj që Spanja të ma njollos' kujtimnë
Pse nderin e shtëpisë un mbeta pa e marrë?
Me dashuri të merrem kur shpirti i hutuar
 E sheh se është shuar!
Këtë mendim ta heqim për ngaherë
Sepse veç më gënjen!
Po hajde, pra, moj dorë, shpëto nderë,
Sepse u dashka ta humbas Kimenë!
Jo, jo, nuk jam, aspak i marrë!
Kaq shumë u mendova por vetëm nga hutimi,
Në vdeksha në luftim apo nga hidhërimi,
Un gjakun të kulluar do derdh siç e kam marrë.
Më kot kaq shum' ngurova e sytë kot m'u laknë
Pa eja marrim gjaknë;
Më kot kaq shumë veten kam mashtruar,
Kontin të shkojm' ta gjejmë:
Sepse im atë sot është poshtëruar
 Dhe poshtëruesi yt atë ësht, moj Kimenë!



Jean Racine (1639-1699)


Fedra

(fragment)

AKTI I, SKENA III
(FEDRA, ENONA)
FEDRA
Le të mos shkojmë' më tutje. Këtu le të qëndrojmë;
Këputur jam e tëra, e dashurë Enonë.
 Drita që shoh sërish sytë po m'i verbon
Dhe trupi që më dridhet më këmbë dot s'qëndron.
E mjera unë! (Ulet)

ENONA
Mëshirë të kenë perënditë!

FEDRA
 Të rënda sa më duken kjo napë edhe stolitë!
 Në ballin tim kështu, më thuaj, cila dorë
Me kaqe nyje flokët m'i gërshetoi kurorë?
Mërzia që po ndiej më ka kapitur krejt.

ENONA
Aty kërkon një gjë, aty pendohet shpejt.
Ju vetë, pak më parë, duart tona i nxisnit
 Që me stoli më shumë ju trupin t'ju stolisnin;
Ju vetë, duke hedhur në kokë ketë napë,
Kërkuat qe të dilnit, të shihnit dritën prapë.
Tani që e shihni zonjë, të fshiheni kërkoni,
Dhe dritën që e donit tani më nuk e doni.

FEDRA
 Ti, që në jetë solle një familje të ngratë,
O ti, që nëna ime mburrej se të kish atë,
Që ndoshta tani skuqe kur sheh se jam e mjere
Vij të të shoh, o Diell, sot për të fundit herë.

ENONA
 Si? Ende të brengos ajo dëshir' mizore?
Nga jeta do të t'shoh përher' të heqësh dorë?
Të duash sa më shpejt që vdekja syt t't'i mbylli?

FEDRA
Sa mir' do qe të rrija në hijen e një pylli!
 Ah, kur do të mund, vallë, mes pluhurit të artë,
Të ndjek me sy vrapimin e kuajve të zjarrtë?

ENONA
Si, zonjë?

FEDRA
Mos u çmenda? Ku jam? E ç’thashë ashtu?
 Ku më fluturoi mendja? Si fola kuturu?
 Mendjen ma kanë prishur, Enonë, perënditë;
 Faqet më janë skuqur, ç'u bëra në kët' ditë!
 Brengën time të turpshme un nuk ta fsheha dot
Dhe syt e mi ngarkuar, Enonë, jan' me lot.

ENONA
 Fajin e ke ti vetë, se brengën që të bren,
 Në heshtje ti e mban, Enonës s'ia rrëfen.
 Më gjith kujdesin tim po tretesh prej mërzisë
Dhe vdekjen e kërkon në lulen e rinisë.
Vallë ç'tërbim ty jetën në mes po ta shkurton?
Ç'magji, o çfarë helmi burimin ia shteron?
Tri herë lart në qiell u ndezë e u fikën yjtë
Qëkurse gjumi i ëmbël nuk t'i ka mbyllur sytë;
Tri herë është ngrysur, tri herë është gdhirë,
Qëkurse ti, moj zonjë, s'ke ngrënë e as ke pirë.
Ç'mendim i tmerrshëm vallë drejt vdekjes te thërret?
Jetës ti fund kërkon t'i japësh, me ç'të drejtë?
Që jetën perënditë ta falën nuk mendon?
Kështu ti rëndë i fyen dhe burrin e tradhton;
Tradhton edhe fëmijët, fëmijtë e tu të mjerë
Se nën' një zgjedhë t'ashpër i hedh ti për ngaherë.
Ti mos harro se vdekja nënën do t'ua rrëmbejë
Edhe djalit të huaj prap shpresën do ia kthejë,
Atij armikut tënd, djalit të nj'Amazone
Që ësht armik e armik do mbetet gjithmonë.
Ai Hipoliti...

FEDRA
O, Zotër!

ENONA
Të shoh të zemëruar.

FEDRA
 Ç'emër ashtu nga goja ti nxore pa menduar?

ENONA
E ndiej se si të dridhet nga pezmi ajo zemër
Dhe trupi të rrëqethet kur e dëgjon kët emër.
Jeto, pra, dashurinë, detyrën të kesh nxitës;
 Jeto dhe mos duro që djali i një Skites
Fëmijtë e tu përjetë t'i mbajë nën sundim:
Për fisin tënd fisnik do t'ish një poshtërim.
Të trupit të këputur shpejt mposhte dobësinë

Dhe katalinë e keqe këmbeje me fuqinë;
Gjersa pisha e jetës, që gati regëtin,
Nuk është shuar ende, sado pak që shëndrin.

FEDRA
Të jetës mëkatare e zgjata fillin shumë.

ENONA
Çfar' brenga e shqetësime natën të lën' pa gjumë?
Çfar' krimi kaqe tepër ty zemrën ta ka thyer?
Me gjakun e pafajshem duart mos  i ke lyer?

FEDRA
 Jo, duart un përlyer s'i kam aspak me gjak,
Por zemrën e kam sterrë, Enonë, edhe farmak!

ENONA
Ç'mendim i zi, i tmerrshëm, kaq shum' të ka tronditur
Që po më dukesh sot, moj zonjë, e lebetitur?

FEDRA
Të fshehtën, moj Enonë, ti mos kërko të dish;
Të vdes më mirë: pohimi mynxyr' për ty do t'ish.

ENONA
Ahere vdis; të fshehtën Enonës mos ia thuaj;
Por për t' t'i mbyllur sytë kërko një dor' të huaj.
Megjithëse jeta jote po fiket me nxitim
I pari ndër të vdekur do zbresë shpirti im.
Shumë udhe atje e shpien zemrën plot hidhërime,
 Por udhën më të shkurtër do zgjedhë brenga ime.
Qëkur Enonës sate s'i jep më jo ti besë?
Për ty ç'kam bër', mizore, si ranë në harresë?
Për ty kam lënë vendin, fëmijët, dashurinë;
 Kështu po ma shpërblen ti sot besnikërinë?

****
FEDRA
Do të dëgjosh një emër plot llahtar,
Unë dua...trupi krejt më dridhet kur e kujtoj
Unë dua..

ENONA
Kë?

FEDRA
Të birë e Amazonës besoj
E njeh princin që unë e kam munduar shumë?

ENONA
Hipolitin? O Qiells!

FEDRA
Emrin ti e the, jo unë.

ENONA
O zotëri gjithë gjaku në rrembat më ka ngrirë!
O ç'gjëmë e madhe! Ç'krim! Mallkim, moj racë e nxirë!
O udhëtim fatzi!
O vise të mallkuar,
Ktij bregu të rrezikshëm a duhej vallë afruar?

FEDRA
Rrënjet më thellë, Enonë, i ka kjo brengë e shkretë.
 Me djalin e Egjeut sa lidhur qesh' përjetë,
E lumtur dhe e qetë kujtoja do jetoj;
Armikun tim krenar Athina ma tregoi.
E pashë, u skuqa, u zbeva, mbeta si e zalisur,
 Si valë u ngrit hutimi në shpirtin e trallisur;
M'u errën sytë e ballit dhe goja m'u nemit,
Akull m'u bë gjith' trupi, njëherësh m'u zhurit.
E njoha Afërditën dhe zjarrin shkatërrimtar
Në gjak që më kish ndezur shpagimin për të marrë.
Në lutje të paprera kërkoja ngushëllim.
Një tempull i ndërtova, e stolisa me durim;
Ngahera me viktima siç isha e rrethuar
N'gjitë e tyre kërkoja mendjen time t'hutuar;
 Por zjarri i dashurisë po digjej si më parë.
Më kot dogja, e mjera, temjanin mbi altarë:
Kur emrin e Hyjneshës shqiptonte zëri im
Un doja Hipolitin; e shihja pa pushim

Tags: Poezi

October 19 2011

19:42

Poezi nga Sulejman Mato

Sulejman Mato


   
 Një libër i mirë


Një libër i mirë  është si një lis i moçëm
Lind dhe plaket brenda një shekulli,
Degët e tij janë plot gjak në damarë.


Një libër i mirë është pjellor si fusha
Shtegtar si retë dhe i heshtur si shkëmbinjtë,


Një libër i mirë është rezistent ndaj ngricave
I errët si mendimi dhe i padepërtueshëm si guri.


Një libër i mirë i shtohet tokës
Përkrah qyteteve të rinj dhe shkëmbinjve të moçëm.


Në damarët e tij qëndron sekreti
I lidhjeve të njeriut, lisit , shkëmbit dhe librit.


S'ka kohë për të thënë shumë gjëra



S'kemi kohë për të thënë shumë gjëra,
por më të rëndësishmet duhet t'i themi,
si për shëmbëll: E kaluara na u tret si brymë.
E ardhmja? Gjë e gjëzë që dot s'e gjeni.



Ishte një kohë e gjatë, e gjatë,
që ne e shkurtuam me hallet tona,
u përpoqëm shumë , por bëmë fare pak.
Për çfarë bëmë keq,  Zot, mëshirona!



S'kemi  kohë për të thënë shumë gjëra,
të gjitha sa thamë midis jush i lamë.
Po ikim të qetë në një vend që s' e dimë
pas hijeve të dashura të të parëve tanë.



Sonte do të vij






Deti dhe ullishtat do të më kenë harruar
dhe pezuli gri i reve më ka fshirë nga kujtesa,
vetëm shtëpitë e bardha që dremitin nën yje
ma ruajnë kujtimin.

16 vjetë
pa të parë ty.
Sonte jam aty.

Se dua të takoj zërin e largët të nënës sime...
Ndoshta malli i saj rastësisht ka ngecur
në degët  e një ulliri të pikëlluar.




                *    *     *
Një vetëtimë theu krahët dhe ra diku,
në honet e vetmuara të horizonteve të muzgut,
pylli i madh i  kujtimeve u lëkund mbi Jug
si imazhet dimërore të Frederikut.


Ku shkon kaq i vonuar ,malli im, për ku,
si krifa e gëzuar e një kali të bardhë?
Një vetëtimë malli shkrepëtiu diku
dhe ra në baladën e një reje mbi mal.



Ç'natë është kjo.!?



Ç’natë është kjo?
Ç’natë qenka kjo?
Me ullinj  të vetmuar që dremitin të pikëlluar
nën yjet e mëdhenj të fëminisë...?


Një këngë greke çuditërisht më mirseardh,
në vend të këngëve të vendlindjes sime.
Valët në breg oshëtijnë
si këngët e Neço Mukës.

Nga nëndeti vijnë ca bubullima të mekura .







     Ftera!


Këtu dhe ajri të deh  si vera.
Tingëllojnë zilet e dhive në male,
tutje deti psherëtin, psherëtin…
Ullinjtë e  vjetër si pleq të përmalluar.


Tinguj resh trokasin mbi xhamat e heshtur
të shtëpisë sime të vjetër
Ftera…Rrjedhja e qetë e ujrave të heshtur
më zgjojnë fëmijërinë e largët.
Ul kokën të pi ujë e s'ngopem së piri.


Eci kalldrëmeve që i ngritën të parët tanë,
si  fije bari e përkundur nga era.
Jam shndërruar i tëri në dritë e tinguj
Një plakë e lashtë picëron sytë…
"Mos je ti, djali i tretë i Vahidesë?"
Më fton në shtëpinë e saj,
oborri plot me menekshe dhe lule bore,
më gostit me mjaltë mali dhe çepele.


Ftera! Ftera!
Bekuar qofsh ti moj erë e malit që ulërin në stanet e  bagëtive!
Bekuar  qofsh dhe ti mbrëmje që pikon aromë yjesh!
Bekuar qofshi ju zëra çobanësh,
dhe ju zërat e largët të stërgjyshërve të mi!
Bekuar qofshi ju pemë e ju ujëra!
Dhe ti shi vere mbi çatinë e vjetër të shtëpisë sime.
Bekuar qoftë ky vend magjish dhe këto zgafella ajri…!


-Sulejman, Sulejman! Ku vdekja  pihet ëmbëlsisht si verë?
-Në Fterë!
-E ti ku dëshiron të vdesësh pa e ndjerë?
-Në Fterë! Në Fterë!




Tri mushka





Tri mushka zbresin nëpër një tërthore
me kosha me fiq  ngarkuar.
Një e kuqe
një e zezë,
një gri.



Det   qielli
Qiell deti.



Tri zilka yjesh vibrojnë ajrin.
Një në "la"
një në "do "
një në "mi."



Det    qielli
Qiell deti.


Ca zëra polifonikë
vajtojnë për ca gjëra të largëta



Tim vëllai
              
                     Jakupit.



Qëndroj i heshtur  te varri yt.
Sa e çuditshme?





Ti ka nisur të të mbulojë harrimi...
Dhe mua  më ka mbuluar errësira.



Po dhe unë, vëlla,
edhe pse jetoj
se mos jam i gëzuar.



Më fal, vëlla,
për të gjitha ngricat e shkurtra dimërore
që të kam krijuar.




Më fal, ashtu siç dije  ti të falje ,
se ti kishe një karakter të fortë
dhe një zëmër të madhe.


Po si na ike kaq papritur dhe na le kështu?
Si na le për fare?!



Pashë një ëndërr sikur isha qen


Unë pashë një ëndërr sikur isha qen
Dhe thashë me vete:”Përse shqetsoheni ju njerëz?
Jeta është e bukur…
vetëm kur je njeri… 
Mund të ishe dhe qen
dhe mace,
dhe mi. »


Në mëngjez  dola në trotuar
dhe pashë në rrugë një qen qyqar,
flinte si qen, pa dyshek, pa çarçaf
pa jastëk , pa jorgan.

Midis kalimtarëve  kalonin indiferentë
flinte si një mbreti vërtetë.


Më erdhi   keq për qenin qyqar.
 për racën të cilës  i përkisja dhe unë,
vetëm në gjumë,
dhe nisa ta dua racën e qenve 
dhe më shumë.


Për të gjithë  këtë dashuri
u bë shkas një ëndërr…
Dhe një qen qyqar
që flinte si mbret
në trotuar.



Shtëpia me tulipanë



Eshtë një shtëpi në periferi të Korçës
që ka një kopsht  me tulipanë,
aty erërat fryjnë si  mall i largët,
e dëbora ulërin  si  harrim i bardhë.




Eshtë një shtëpi   e plakur dhe e harruar,
tulipanët në kopsht digjen si zjarre ,
brenda  vërtitet një flutur krahëshkruar...
Ç'ishte aq të bukur në prillin e malleve!?



Te ajo shtëpi shkoj  netëve, veç në ëndrra,
dhe pres i shqetsuar të kërcasë një dritare.
Yjet lart- si në një ceremoni mortore,
tulipanët në kopsht digjen  si zjarre.



Atje ka kohë që ka  rënë dimri  i pullazeve,
oxhaku nxjerr shtëllunga të bardha malli…
Ajo zbret çdo mëngjez në kopshtin e vet
të zgjojë rininë  me dritë tulipanësh.

              


Mbretëria  Huang ti



Larg, larg, më larg se sa largësia,
në perëndim të perëndimit
dhe në veri të veriut të largët,
është një mbretëri që quhet:
"Mbretëria Huang ti."




Në atë mbretëri mund të arrish  vetëm
mbi krahët e  erërave dhe stuhive.
Atje nuk ka ligje ,
nuk ka  gjykata dhe prokurori...
Atje është afërsisht si në Shqipëri.



Atje shpirtërat  futen në ujë e nuk mbyten,
Atje shpirtërat futen në zjarr e nuk digjen,
lëvizin në ajër dhe nuk peshojnë,
vërtiten si fluturat rreth dritës,
po zotin Huang ti nuk e shikojnë.


Ai rri fshehur brenda një reje
hera-herës shfaqet në formë rrufeje..



Në panairin e librit në Sarandë


Erdhën dhe librat.
I  sollën  tregtarët e shpirtërave.
Vetëm poeti mungon.
Në stendë ka lënë  lëkurën ndërsa ai vetë,
                                          aventurier si gjithmonë,
                                          lakuriq dhe pa një dyshkë në xhep,
                                          bën shoqëri me  gaforen e guvave të thellësive,
                                          me yllin e detit
                                         dhe me breshkën  turiste, të deteve të largët.
I pyet për jetën nënujore, për gjuhën e peshqeve,
për dashuritë e tyre të pafata, e për gjëra të tjera...
Sa mijra qenie të mjera  nuk dinë  fare
ç'janë metaforat dhe librat...



Tani mbi Sarandë ka rënë muzgu  i mesdheut
edhe dritat e qytetit   kanë shtënë dashuri me alget e thellësirave,
vetëm tregtarët nuk i trondit asgjë.
Ata i gëzohen fitimit,
i numërojnë mijëshet e fituara me gishta, një nga një,                                                                                 

Jeta është e bukur...Apo jo?
Vetëm për poetin nuk kujtohen, jo.
Doli nga deti...apo u mbyt?


E  ç'rëndësi ka kjo?
Kujt i duhen poetët ?




Dajke Zonja



Sa linde nise të qaje,
të thanë ,  je martuar.
E di, -the ti,- e dija  më parë se të lindja,
kisha përgjuar bisedën e dy burrave  lart në male,
një mbrëmje me murmurima bubullimash të largëta.
Po linde vajzë,- tha i pari  do ta marr nuse për tim bir,
Dakort,- tha tjetri, kështu rritet  miqësia,
si bari që fle dimrit nën tokën e lagur
dhe zgjohet pranverave me kundërmim Lulezonjash.

Zonjë të thirrën,
si zonjë  në shtëpinë e gjyshërve të mi u rrite,
14 vjeç... "nusja e Nedimit",16 linde djalin e parë,
34, nënë e gjashtë fëmijve… Lëvizje nëpër dhoma me çelsa në brez,
herë si zonjë e rëndë e herë  si hije-
mërmërimë e kopshteve në pranverë
përzier me tingujt rinorë të nënës sime.

Kur ike : "më futni në një varr me vjehrrën ,-the".
Tani mbi varrin tuaj ka rënë muzgu i Lulezonjave,
si u e deshët mbi tokë ashtu duheni dhe nën tokë,
me eshtra këmbeni mërmërima dashurie.


E ç'është jeta... Në mos një lule Zonjë?
Mbin dhe vyshket, pastaj mbetet vetëm  fara.
Vetëm farërat dhe kujtimet nuk vdesin kurrë.
Të tjerat janë heshtje.




Pesë poezi për nënën
Në një yll të largët kam nënën time


S' kemi kohë për të matur distancat midis largësive.
Në një yll të largët  kam nënën time.
Zëmërbardha shqetsohet përditë për fëmijët
ca i la në tokë,  ca në qiell…


S'kemi kohë të merremi as me gjëra tokësore.
Koha  rrjedh si dritë pas veshëve të mi,
                                     e herë si shi me vetëtima.


S'kemi kohë  për të mësuar as ca gjëra të thjeshta:
Nga vijmë? Ku shkojmë?


Në një yll të vogël kam  flokëbardhën time,
e gëryen malli për të dashurit e largët.
Ca i ka në tokë ca nuk i di ku janë…
Dhe ka aq mall dhe ka aq mall për t'i parë
sa thonë se edhe vetë është shndërruar në mall.



Baret netëve nën vjeshtën e yjeve,
dhe ëndërron të bëhet kometë
të rendë në kërkim qiejve të tjerë…


Rruga për në tokë zgjatet e zgjatet,
gumëzhin nga zërat e gëzuar të fëmijve.




                     
                  *    *    *
Kur ti ike toka ndali për një çast rrotullimin,
dhe rrugët humbën  krejtësisht kuptimin.

Dielli-pasqyrë zjarri
Hëna- pasqyrë  ujrash në ikje.

Në çfarë pasqyre përsëritet profili yt prej hëne,
moj shën Mëria ime?

Imazhi yt përthyhet
në muzgun e  pikëllimit të trëndafilave.





                    *    *    *
Ne rrinim në oborr, përballë njeritjetrit
hija e nënës, e re dhe e bukur, zgjatohej si shtyllë drite,
ajo rrinte ulur në stol, thurrte  çorapë me shtiza,
po mendjen e çonte larg…


Jeta me nënë  ,thoshja unë, 
është si deti i madh dhe i paanë…


Zoti ynë që je në qiell,
ndaloje përjetësisht  atë çast,
mos ma lër të ikë.


Ne rrinim në oborr , përballë njeritjetrit
dhe dielli lumturohej mbi kokat tona.
Ajo thurrte çorapë me shtiza
por mendjen e çonte larg.


Jeta me nënë, thoshja unë,
i jep forcë  dhe globit në rrotullim…
U jepte forcë  bletëve që gumëzhinin rreth luleve të kumbullës
u jepte gjallëri dhe pulave në oborr që kakarisnin gjithë gëzim.


Zoti ynë që je në qiell, thoshja unë,
ndaloje  përjetësisht këtë çast!

Po tani që  ti s'je më,
ku ta përplas unë kokën
moj nëna ime?!

                    *    *    *
Atje ku ti jeton bien  shira monotonë.
Nënë e dashur, ki kujdes,mos më ftohesh,
tani jam unë që shqetsohem për ty
 e të pres çdo natë  të më vish në ëndërra.


Jam nisur shumë herë të vij gjer aty
po shtigjet s’i njoh, shenjat e qiellit s’i di.


Aty ku  jeton ti thonë gjelbërim nuk ka,
as zogj  as flutura as zile bagëtish,
shtëpizat u ngjajnë reve në lëvizje.





                *    *    *
Pas shirave të vetmuar, larg, shumë larg,
më rri e veshur me mjegull drite.


Ishte një kohë e largët,  e largët
që kisha nevojë të të kisha pranë.
Unë kisha shumë punë dhe ti më prisje,
më prisje gjithë ditës me sytë te dera.


Tani kam shumë kohë për të qëndruar me ty.
Lëviz një degë shiu ,  të të shoh ku je…

Po ti më je larg  dy galaktika.



  *    *    *

Dal çdo mbrëmjenë bregun me ullinj
të dëgjoj vajtimin e zi të mëllinjave.


Isha mësuar  me zërin tënd
si zogjtë me erën dhe me qiellin.

Tani qielli im ka mbetur i shkretuar,
pa një re të bardhë përkujtimi.
Rri në breg i vetëm dhe i harruar
si hija e parë e njeriut të botës.

Si një zonjë e rëndë, e rëndë,
shëtit  e vetmuar në qiej të tjerë,
ndërsa unë rri e të pres çdo mbrëmje
se kam kaq shumë gjëra për të të thënë.



Një balenë e largët erdhi gjer në shpellën time

                                           Balena që zoti e mbrojti dhe e respektoi
                                            u largua me shpejtësi në dete të tjera
                                            duke shkëlqyer përballë diskut të diellit.
                                                                                        Jeme Jaramillo



Dhe ja, një balenë e largët  erdhi gjer në shpellën time,
që gjendet poshtë  maleve  Akrokeraune.



Unë e ftova atë për një vizitë, i shtrova para mish të pjekur dhe verë
dhe ajo më  tregoi  çfarë kishte parë në thellësirat e oqeaneve,
anije dyrekthyera të ushtrive romake , ….të zhytura në rërë,
peshq luspaartë, yje deti, peshkaqenë e oktapodë mitikë.
Unë nisa t'i tregoja për udhëtimet e Argonautëve,
për anijet dyerekthyera dhe  ushtarët fatkeq të Odiseut…
Si erdhën një ditë nga deti. Ishte mbrëmje e errët me  dallgë dhe furtunë ,
te pragu i shpellës u ndalën.Unë i prita ata sipas zakonit, si në shtëpinë e zotit,
dhe pimë verë  të vjetër gjithë natën dhe poqëm mishrat në hell,
pastaj ata si u dehën nga mylli nxorrën shpejt shpatat,
dhe në zëmërim e sipër  më nxorrën syrin e vetëm…
Të nesërmen  dolën nga shpella vjedhurazi, herët në agim,
dhe unë, unë Polifemi i lashtë i shpellave  të majëmaleve të larta Akrokeraune
kam tremijë vjet që kërkoj të shuaj zëmërimin tim të verbër
duke përgjuar netëve zërat e sirenave të anijeve të huaja.



Të gjitha këto unë ia tregova balenës  gjatë asaj mbrëmjeje  vetmitare,
balenës mërgimtare të detrave të largët.
Dhe ajo, si një mikeshë e vjetër, mikeshë tepër besnike
në ikje më premtoi se do të kthehej përsëri.
Në agim  zbriti gjer te bregu me rërë të lagët:
Kur të kthehem, më tha, do të të sjell shumë lajme të gëzuara,
për atë çka ndodhi me luftëtarët e tjerë trojanë.
Pas asaj nate të kobshme, nga ikën, ku vanë?
Çfarë ndodhi ato netë zulmëmëdha , tre mijëvjetë më parë?


Balena, mikja ime e mirë, u largua me shpejtësi për në dete të tjera
e unë i ktheva krahët diellit  gjithë shkëlqim
dhe u zhyta përsëri në errësirën time të vjetër.


O njeri- përbindësh, kush të paska mbyllur kështu
të qëndrosh kaq shekuj i vetmuar në këtë shpellë të errët…
Larg, shumë larg  shpirtligësisë njerëzore?!


S'themi gjëra të mëdha...




S'themi gjëra të mëdha,
Ca gjëra të thjeshta që i dinë të gjithë...
Si për shëmbëll: Këmishës sime i mungon një komçë,
si për shëmbëll: Këpucëve iu janë ngrënë shollët nga bredhjet e ditës.


S'themi gjëra të mëdha.
Ca gjëra të thjeshta  që i dinë të gjithë.


Si për shëmbëll:
"Mbretëria e qiejve është brenda te nesh..."
Si për shëmbëll: Në botë ka ligje, censurë dhe burgje,
vetëm në parajsë ka liri.


Mugëtirë mëngjesi







Ora katër e pesëdhjetë e shtatë,
lëviz në errësirë, i vetëm,  ngadalë,
për shkak të prostatit që  më pickon nga pak,
nga dhoma e gjumit shkoj  në banjë.


Uturima e një veture që vjen së largu
lajmëron qytetarët :”Erdh koha për zgjim.”,
një çift të rinjsh  kthehet nga  dasma,
dhe  një djalosh i dashuruar që shkon në  takim.


Katër e pesëdhjetë e nëntë...Fiks pesë.
Trokasin sekondat. Drita hapet si duvak.
Pas pak pompat e ujit nisin të cicërojnë
si zogjtë e mëngjesit në fshatin tim, atje larg.




*     *      *

Nga e gjithë ajo mbrëmje
mbeti kjo shushurimë e vjetër shiu
çuditërisht, që më ndjek nga pas
vazhdimisht.

Nga e gjithë  ajo natë e gjatë
mbeti tek unë 
zëri yt ankues
melankolik, i trishtë.

Jehonë e largët kujtimi.




Shpirti im ka ngecur tek një re


Shpirti im ka mbetur tek një re
që lëviz në qiell papushim.
herë digjet si një boçë zjarri
herë si ujvarë  gjithë trishtim.



Iku shpirti im, dhe u ngjit lart,
s’e duronte dot monotoninë,
korrupsionin,  luftën politike,
mbi të gjitha s’duronte zilinë.



Ndaj, kur mos më shihni midis jush
hidhni sytë  tek  ajo re që ndrin,
e vetmuar edhe kalimtare,
brenda saj kam lënë shpirtin tim.




   *     *     * 

Dy vëllezërit e mi i ruaj në lëkurë,
 Babanë e ruaj prej kohësh në eshtra,
 nënën e dashur e ruaj në vena.

Njerëzit e mi  i ruaj në lëkurë e në eshtra
dhe në venat që zemrën ma ushqejnë  pa pushim.


Dhe veten e ndjej si një tren në udhëtim,
i ngarkuar me një lëndë të çuditshme kujtimesh,
në një ikje pa kthim.


         Monologu i Ciklopit...                     





M’i shqyet  sytë e m’i bëtë rrema,
e më pas çatë tutje deteve pakufi.
Po më e keqja erdhi kur  ju shpifët për mua,
se   qenkisha  përbindësh me një sy.

Mbetën sytë e mi si dy lakuriqë nate
ndërsa sirenat këndonin atë ditë mynxyre,
yjet zbritën poshtë, të më ngushëllonin mbas darke
duke më kujtuar si një statujë ilire.

Dhe ne nuk ishim bij perëndish,
as unë as mbreti me  emrin Odise,
ti e quaje veten mbret  ndonëse ishe bari derrash Itake
po mbret isha unë, dhe Zot i maleve.

Qysh nga ajo ditë kanë rënën tokë shumë kometa
dhe toka ndërkaq  është rrotulluar pa pushim.
Të verbërit  e botës të gjithë janë harruar,
 kam mbetur veç unë dhe Homeri im.



                           




                     Prometeu



Në natën e errët dhe të pafund ,të Kaukazit,
unë ndeza një zjarr të madh mbi gjithësinë,
ndaj qëndroj i lidhur në këtë majë mali
duke më shqyer orlat , ditë e natë,  mëlçinë.

Unë zjarrin e ndeza   për ju  o njerëz,
që u treguat  indiferentë ndaj fatit tim,
i latë Zotat  të më lidhin me zinxhirë
për çka bëra për ju ky qenkej shpërblimi im.
Tani rri i varur nën yje e  në erë
si pendul i gjithësisë që ndan dy kohëra
ndërsa Zotat bëjnë festë  në Olimpin e lartë,
derdhin verë mbi tavolina e harbohen ndër lodra.


Mund të kisha qenë dhe unë  midis tyre.
i qetë e  pa travaj, duke kthyer gotat me verë ,
po si do mundja  ta bëja unë  një gjë të tillë,
kur  populli im i gdhinte netët në terr.?

Ndaj  e braktisa Olimpin e zotave,
që të vuaj ditë e natë, në këtë shpat mali, vetminë,
për ty, o popull, mos mirënjohës dhe i ftohtë,
duroj sqepat e orlave të më shqyejnë mëlçinë.


Plakat e Vunoit
         Mbrëmje gushti e qëndisur me yje.Mugëtirë.
         Disa plaka vunotase janë ulur në një  prag të një porte
         dhe monologojnë pa zë.


Nuk  dimë sa kohë kemi  që presim kështu...?
Nuk  dimë sa kohë  u bë që kanë ikur djemtë tanë?
Tani na ka lënë dhe mendja, nuk  kujtohemi dot.
Si na iku kështu  kjo jetë, si një ëndërr e keqe
me sy të  pisëruar nga deti…



Nuk e kujtojmë dot, jo, kur na kanë ikur.
Megjithatë s' themi themi gjë.Ishin djemtë tanë.
Bëjmë sikur s'dimë gjë, sikur s'ua kemi vënë re fëmijve tanë,
që ikën e na lanë.



                         *     *      *
Kështu  dalim së bashku çdo mbrëmje, në mugëtirë,
me duart e fshehura në futatë e zeza
dhe bëjmë sikur presim...
Dëgjojmë të qeshurat e tyre të largëta,
në Amerikë, në Kanada.

Kur do të kthehen  djemtë tanë?

Çdo mëngjez   u rregullojmë krevatet e martesës,
u pastrojmë fotografitë. Hapim sëndukët e vjetër të nusërisë
dhe u mbajmë erë këmishave të tyre,
përzier me erën e molës.


             *     *     *
Kur do të kthehen djemtë tanë?
Pyesim Hënën , një hënë të ftohtë dhe memece
që shëtit  mbi çatitë tona netëve. Mos vallë i ka parë...
Çdo natë kur ikën larg nëpër dete,
mos vallë i ka parë djemtë tanë...
Ku janë?
Ç'bëjnë?
Si jetojnë?
Pyesim një yll që qëndron gjatë gjithë natës ndezur si fener
mbi mallin tonë të përvëluar,
pyesim  murmurimën e detit që imiton brengat tona…
I rrit , i shton, i shumëzon, i shpërndan
në të pesë kontinentet.
Ikën bijtë tanë.
I kishim si drita e syrit.
U lanim rrobat çdo mbrëmje … gatuanim gjithë gëzim.
Tani  jetojmë pa zëmër në gjoks,
nuk kemi më kujt t'i  qajmë një hall,
nuk kemi  kujt t'i themi: "jetoo"
Nuk kemi më jetë...
Prapa botës i çuat jetët tona, jetoo!



Tani jemi hije të ditëve tona të dikurshme,
shpirtëra që vërtiten rreth këtyre gërmadhave të vjetra.
Na kanë  harruar jo vetëm fëmijtë
por dhe   vetë vdekja.
Nuk  dimë për kë të gatuajmë, për kë të lajmë?
Për kë të  pastrojmë odatë  mëngjezeve, shkallët , oborrin?
Për kë të lyejmë pragjet e portave me gëlqere?



Kemi harruar të dëgjojmë të qara fëmijësh,
kemi harruar kur kemi lindur,
kemi harruar sa vjeç jemi,
kemi harruar të kemi qenë ndonjëherë të martuara…
Po mbase nuk jemi ne që vërtitemi në dhomat tona të mëdha,
nuk jemi ne që dalim në kopsht, nuk jemi ne që u hedhim thërrime pëllumbave,
nuk jemi ne, jo…Janë shpirtërat tanë të paqetsuar,
që vërtiten portë më portë.
Herë herë na duket se do na hanë këto mure,
do na hanë gojët e dyerve dhe të dritareve,
do na hanë trarët e nxirë të shtëpisë…
do na hanë….do na hanë!



Po kush ju çoi kaq larg, jetoo?
Ishit aq mirë dhe këtu, shtëpia dhe buka mjaftonte për të gjithë.
Deti rrit peshq, mali rrit bar e trëndelinë,
mblidheshit mbrëmjeve te sheshi, mbanit iso: "Vajza e valëve…"
iso mbanin dhe dallgët e detit në Jal,
dhe hëna e yjet në mal mbanin iso,  bashkë me ju.
Janë të bukura këto vende, jetoo, janë të bekuara nga zoti,
Po kush u çoi kaq larg, jetoo?,


                 *    *    *
Herë -herë , kur muzgu  i qëndisur me hënë e  yje  bie mbi këto brigje
dhe dritat shkëlqejnë në ishuj,
na kap një mërzi aq e madhe, aq e madhe…
Kemi frikë mos na ikë mendja,
kemi frikë se mos  dhëmbja na shndërron në qyqe
kemi frikë mos shndërrohemi në qyqe të pyjeve
dhe kukuvajka të brigjeve,
kemi frikë mos zëmra do të na plasi papritur,
kemi frikë mos vdesim të vetmuara në dhomat tona të gjumit,
sidomos, kemi frikë mos vdesim netëve,
sidomos kemi frikë mos vdesim në ndonjë natë të tillë,
nën krisma vetëtimash me bubullima shurdhonjëse,
kemi frikë mos nuk na troket njeri te porta, ditë të tëra,
kemi frikë mos na lënë pa varrosur…
Kemi frikë! Kemi frikë!



Jo.Jo.Nga vdekja nuk kemi fare frikë.
Po kemi frikë nga ndonjë ëndërr e keqe...
Kur shohim se  fëmijve tanë  diçka u ka ndodhur.
Mos i kanë vrarë?  Mos  i kanë grabitur?
Mos i kanë fyer?    Mos i kanë përgojuar..?
Shpatull më shpatull janë vrarë me mall
për  këto plaka gërmadha e për gërmadhat e shkreta,
për Skutarën dhe Jalin?
I  ka vrarë malli për llampën e madhe të Hënës që shëtit
çdo natë mbi  çatitë e pikëlluara të Vunoit…
I ka vrarë malli. I ka vrarë malli!



                 *     *     *
Sa e shkurtër qënkishte kjo jetë, jetoo!
Si iku kaq shpejt? Si na iku kaq shpejt?
Pa shplarë duart e futura në kazanët e rrobave,
pa drejtuar trupin e kërrusur mbi brumin e magjeve,
pa kaluar  një natë  me burrat tanë
që ikën dhe na lanë…
Pa kërcyer një herë të shkujdesura në dasmat e fëmijve,
Pa qarë një herë me zë të lartë nën drurët e ullinjve,
pa u ngopur një herë me gjumin e mëngjezit,
po iu gëzuar  dashurisë së fëmijve…
Si na iku kështu kjo jetë, jetoo?!


                *    *    *
Herë- herë na duket se s'jemi fare fillikat,
kur dëgjojmë në male  zilet dhe këmborët e bagëtive,
dëgjojmë zërin e një fyelli të brengosur që këndon mbi çatitë tona ,
dhe shohim se si na afrohet macja me mjaullima malli,
dëgjojmë zërin e një gomari që këndon i vetmuar në brigje
dhe zërin gazmor të këndesit të shtëpisë
që lajmëron yjet çdo agim mbi sorua…
Eshtë i bukur ky vend , jetoo!
Brigje të kaltërta të mallkuara me kurbet të zi.



S'jemi fare vetëm, jo,
kur shikojmë se si dhe minjtë e zhapikët
hyjnë e dalin  mureve  të vjetra, të gëzuar,
e një merimangë mbi dritare thurr ditë e natë rrjetin e saj me fije ari.
S'jemi fare vetëm, jo.
S'jemi fare vetëm, jetoo! Jemi shumë plaka
në një fshat me 100 shtëpi.
S'jemi fare vetëm…jo. Kemi dhe varret pranë kishës,
Varre të lashta dhe të reja, varre, varre, varre…
Dhe shtëpitë tona të gurta na ngjajnë si katakombe,
S'jemi fare vetëm,jo. Sidomos netëve
kur takohemi të gjallë e të vdekur,
bisedojmë me shpirtërat gjatë gjithë natës
gjer kur del mbi det ylli i mëngjezit.
I kemi bërë gati takëmet e vdekjes
dhe i ruajmë në syndyqet e vjetra të nusërisë.
Nuk dimë  kush do të na lajë trupin
ditën e fundit të mbrëmjes ?
Dhe kur të ikim  përsëri këtu do të na gjeni-
zogj të egër malli duke vajtuar mbi ullishta.



          *      *     *
Kalojnë tragetet në det dhe ikin
si ëndërra të bardha të ditëve të pajetuara.
Lëvizin ndadalë, treten në largësi…
Brenda  ka jetë, brenda  ka ngrohtësi.
I shikojmë nga larg, të qeta dhe indiferente.
Udhëtimet nuk janë tonat, as dashuritë e të tjerëve.
Tashmë jemi shndërrruar të gjitha
në statuja prej shtufi të zi.
Kur të vini, bijtë tanë e mos të na gjeni,
na gjeni në pyje…Qyqe, këndojnë gur mbi gur,
mbi varret tona  emra mos vini...
Ishim  ca plaka  që s'jetuan kurrë.



                                           Jeto.- Është një shprehje dashurie ,
                                           karakteristikë vetëm e grave Vuniotase









Dy fjalë për veten

Linda në fshatin Fterë të Sarandës 1 mars 1941
Shkollën fillore e mbarova në fshat-Gjirokastër, shtatvjeçaren në Gjirokastër
Të mesmen ”Teknikumi i ndërtimit” Tiranë,
Faktultetin Gjuhë- letërsi shqipe, në Tiranë. Dy vjet arsimtar në Berat.
Revista ”Nëntori ” Lidhja e shkrimtrëve, Tiranë 1067-1973
Libretist Teatri i Operës 73-76, dhe 1985-90 Mësues letrësie shk.J.Pashko ,Tiranë (76-84)
Drejtor i Agjensisë së tregtimit të librit artisitk     (1992-1894)
Kryeredator i gazetër ”Tirana” Bashkia e Tiranës. (1997 -2001)
 Kam nisur të shkruaj në fillim të viteve '60-të.


                                    *    *    *
Ideja për të shkruar më ka lindur në vitet 50-të,  për të shprehur emocionet e moshës .Poezia ime  ka qenë  e kushtëzuar nga koha dhe  vendi.
:"Poezia lind nga dashuria për ta rijetuar jetën në vargje, por edhe për ta konsideruar atë si një moment, si " e tashme e fiksuar." thotë poeti amerikan Oktavio Paz.
Shekspiri poetët i quante: "materiale me të cilat ndërtohen ëndërrat."
Vitet 60-të e  pasuruan denjësisht traditën e poezisë shqiptare jo vetëm Kadarenë , Agollin dhe Arapin por dhe me bashkëmoshatarët e mi: Musa Vyshka, Frederik Reshpja, Xhevahir Spahiu , Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Koçi Petriti., etj.
Qysh në krijimet  tona të para u vu re nga kritika një frymë e re, një brez i ri poetësh po futej në poezi me problematikën e kohës dhe çiltërsinë e moshës.
Disa prej poetëve të brezit tim  ranë në grackën e angazhimit letrar, ”nën përkëdheljen e optimizmtit të financuar nga shteti”,  mirëpo talentet e mirëfillta  e konsideruan atë klimë thjesht  si veshje stine.
Në kushtet e një trysnie të thellë, të diktaturës dhe të shtypjes së individualiteteve , qoftë dhe nga nomenklatura e një tresheje poetësh, poetët e brezit tim ia dolën mbanë, duke ruajtur të paprekur thelbin e  vlerave .



                                             *     *      *
Në krijimtari kam synuar të jem gjithmonë vetvetja.
Kam patur shumë idhuj, ndërkohë që parimi im mbetet:  "Çfarë nuk dhëmb nuk është jetë" Pëlqej të gjitha llojet e poezisë, moderne dhe klasike, lirike dhe epike, të thjeshta dhe metaforike.Tani që  mbusha  45 vjet krijimtari poetike dëshiroj të them :Faleminderit poezi!.



                          *     *      *
Në ruajtje të strukturës  popullore  dhe  kërkesave bashkëkohore,  në vitin 1967 doli fëmija im i parë  "Shtegu i Blertë".
Historia e krijimtarisë së  kohës socialiste është një krijimtari  brenda kornizave të kërkesave të kohës. ”Pozicioni i shkrimtarit  s'mund të jetë pasiv në shoqëri"-shkruan kritiku Antonio Gramshi. Këto realitete u sendërzuan në mjaft poezi të mia, të cilat ia vlejnë të gjykohen, jo si një kompromis me ideologjinë e kohës por si një vlerë që kërkonte përsosje.
Ne nuk kemi patur një  kritikë strukturaliste që të gjykonte rreth dukurive letrare  të poetëve të brezit tim. "Kritika  i ka kërkuar gjithmonë shëmbujt te "të mëdhenjtë", thotë nobelisti  S.Quazimodo.



Botime  të autorit
      Poezi:
 “Shtegu i blertë" 1967
“Nën diellin e jugut"1969 
“Mbi glob fryjnë erëra” 1972
“Në stinën e poezisë “1975
“Mesi i jetës “ 1985.
"Kryengritësit”1986 “Poezi” 1985.               
“Fjalët" 1988 .
“Dallga e Jonit”  1977. (Shkup)
“Jeta në dy kohë” Prishtinë. 1983
"Balada e vetmisë"" 1998
"Kitara e jugut"     « Toena « 2006
« S’kam kohë për të thënë shumë gjëra. »  2010
  Drama:
”Ankthi”. 1971 
“Një natë e gjatë” 1975  
 “Viti i   provës së madhe”   1982
 "Bukë në shkëmb" 1985 “
 “Familja Zhavora” 1988


 Librete të vëna në skenën e T.O.B.it:
“Legjenda e lules Honinë”    Balet
“Vajzat e qytetit të gurtë “    Balet  
“Paja “                                 Opera komike


Tregime:
“Drita e syve “ (1988) 
“Banorët e Vilës”(1994) 
“Vizitor në parajsë “ (2003)
"Nusja e Borajve" (2007)
« Zarfi me mizë » 2011 Toena
      
Libra studimorë
“Labirinte dhe enigma”  (2000) 
“Endrrat profetike”       (2001 )
“Arti i të shkruarit”        (2002)
 "Në kërkim të rrënjëve"(2005 )
"Vëzhgime mbi lashtësinë e gjuhës shqipe" (2008)
Arti i të shkruarit (Ripunim) 2011

Romane
Njerëzit janë si retë   Toena 2009
Banorët e shpellës    B.Sh.   2011 

September 29 2011

23:50

Dy poezi nga Xhan Jyxhel


1. MOS U LIDH ME ASGJË KAQ MARRËZISHT

Mos u lidh pas një gjëje kaq marrëzisht
Mos thuaj kurrë “S’rroj dot pa të”!
Mos thuaj dhe pikë!
Sepse edhe mund të rrosh.

S’ka nevojë për fjalë kaq të fisme
Vetëm mos dashuro aq shumë,
Sepse do të thyhesh kur do të të dojë më pak.
E ajo gjithsesi do të të dojë më pak...
Po s’dashurove shumë, s’ do kesh as dhembshuri.

Po nuk zotërove shumë, as nuk do t’i përkasësh kujt.
As dorën e këmbën dot mos ia përvetëso
Sillu sikur s’të përkasin ty
Se kur të mos kesh gjë prej gjëje, s’do t’i kesh frikë as humbjet.
Sillu sikur mundesh edhe pa to.
Kur s’ke, për shembull, shumë gjëra në shtëpi,
Lirshëm do të mund të ecësh në të.
Po deshe patjetër të kesh dicka tënden
Vijën e horizontit zotëroje,
Qiellin e tërë,
Diellin, hënën, yjet...
Bie fjala, le të jetë yti Ylli Polar
“Imi është” thuaj!
Nëse patjetër do të duash të zotërosh dicka...
Bëje ylberin tëndin përgjithmonë
Nëse patjetër dëshiron t’i përkasësh dikujt, jepiju ngjyrave.
Portokallisë apo të trëndafiltës, për shembull.
Jeto pa zotëruar shumë dhe pa qenë i zotëruar.
Trajtoje jetën sikur cdo cast mund të të shkasë nga duart,
Po edhe sikur e jotja do të jetë gjithmonë.
Duke iu ngjitur pandashëm e duke e mbajtur për kindesh.

2. DUHET TA DISH

Duhet ta dish... Duhet ta dish se
Diplomat e varura në mur s’e bëjnë dot njeriun njeri

Ti duhet ta dish që
Sa më shumë të përdoret fjala dashuri
Aq më shumë i bjerret kuptimi asaj

Duhet ta dish që
Është tepër e vështirë ta gjesh saktësisht se
Ku kalon vija që ndan lëndimin e tjetrit nga mbrojtja e mendimeve personale

Duhet ta dish se
Largësia s’ka c’kërkon midis miqsh të vërtetë
As midis dashnorësh të vërtetë!

Ti duhet ta dish se
Përvoja s’ka të bëjë me numrin e ditëlindjeve që kremtove
Por me situatat që ke përjetuar.

Duhet ta dish se
Familja nuk është gjithmonë pranë nesh
Se mund ta mësojmë kujdesin, dashurinë dhe besimin
edhe nga ata që s’janë të fisit tanë.
Familja nuk është gjithmonë biologjike.

Duhet ta dish se
Edhe shokët më të afërt mund të të lëndojnë ndonjëherë.
Fali ata.

Duhet ta dish që
Ndonjëherë nuk mjafton t’i falësh vetëm të tjerët.
Edhe veten tënde përpiqu ta falësh ndonjëherë.

Duhet ta dish që
Bota nuk e ndal rrotullimin edhe kur
ty shpirtin ta qit.

Duhet ta dish që
Rrethanat dhe ngjarjet mund të kenë diktuar se kush do të jemi
Por për atë cfarë jemi mbajmë përgjegjësinë vetë.

Duhet ta dish se...
Kur dy vetë grinden me njëri-tjetrin,
Kjo s’do të thotë se nuk duhen. Por edhe kur nuk grinden
mos mendo se duhen marrëzisht

Duhet ta dish se
Secili problem fsheh një rast të volitshëm në vete
Dhe po ai problem është një xhuxh pranë këtij rasti.

Duhet ta dish se...
Dashurinë e humbet shumë shpejt,
Por pendimi zgjat vite të tëra.

Përktheu nga turqishtja: Vjollcë Berisha
Like ·  ·  · September 23 at 8:45pm
  • 180 people like this.
  • View all 31 shares
    • Besmir Blushi Fantastike!
      September 23 at 8:50pm · Like ·  1 person
    • Alketa Banushi Kraja te dyja shume te bukura.
      September 23 at 8:55pm · Like ·  1 person
    • Elona Banushi Tmerresisht te bukura
      September 23 at 8:56pm · Like
    • Joti Erseku ‎:)
      September 23 at 8:56pm · Like
    • Moza Merolli sapo lexova dicka te mrekullueshme...
      September 23 at 8:56pm · Like
    • Keta Kosta Cobo shume te bukura te dyja:)
      September 23 at 9:00pm · Like
    • Gerta Ariel wowwwww..!cfar ndjesie te mrekullushme qe perjetova!ja dicka qe ja vlen ta lexosh!
      September 23 at 9:08pm · Like
    • Nev Ila Godasin qe te dyja...
      September 23 at 9:29pm · Like
    • Erlina Habazaj Sa e vertete e para :)
      September 23 at 9:40pm · Like
    • Iris Toka te mrekullueshme qe te dyja.
      September 23 at 9:53pm · Like
    • Arnisa Ani Kryever,ja vlen ta lexosh e rilexosh
      September 23 at 10:32pm · Like
    • Irma Allajbej Mrekullisht te bukura , mbartin shume vertetesi brenda cdo vargu
      September 23 at 10:56pm · Like ·  1 person
    • Flutur Fetai Vjollce, ti gjithmone di t'ia dhurosh botes me te miren qe ke, dhe jam e bindur se me e mira te kthehet :)
      Interpretim te mahnitshem ke bere! Te lumte!
      September 24 at 12:43am · Like ·  2 people
    • Aferdita Havolli Sherifi wauuuuuuuu
      September 24 at 12:11pm · Like
    • Valentina Morina Fantastike,sidomos poezia e pare..
      September 24 at 12:47pm · Like
    • Blerina Hasho Shume e bukur...!
      September 24 at 7:34pm · Like
    • Remove CommentRemove Comment and Ban User
      Cesar Pezo Manihuari mik shumë i mirë këtë poemë më trego ku e keni marrë atë, sepse kjo është maksimale dhe përshëndetje për të gjithë njerëzit e vendit tuaj të sigurimit që është shumë e bukur ..... ahhhhh Unë jam nga Peruja dhe unë do të doja që u njohëm dhe të flas me ju ... .
      September 25 at 6:05pm · Like

July 15 2011

02:30

“Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” - një vepër me vlera praktike dhe teorike për shqipen standarde

 Nga Prof. Dr. Mehmet Çeliku

Kohët e fundit u botua në Tiranë vepra Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe (FDGjSh,2011), hartuar nga dy gjuhëtarë me emër shqiptarë, Ali Dhrimo dhe Rami Memushaj. Ky është i dyti fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe. Fjalori i parë drejtshkrimor i gjuhës shqipe është botuar në Tiranë më 1976 me titull Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe (FDGjSh,1976); ai u hartua nga një komision i përbërë nga Androkli Kostallari, Mahir Domi, Emil Lafe, Nikoleta Cikuli. FDGjSh i vitit 1976 është botim zyrtar i ASHSH, i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, u hartua sipas vendimit të Kongresit të Drejtshkrimit,1972, dhe zbërthen e plotëson “Drejtshkrimin e Gjuhës shqipe”,1973. Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe,1973, dhe FDGjSh,1976, janë dy vepra që përbëjnë një të tërë organike të pandashme, një nga tri veprat madhore kodifikuese të Pasluftës: bazat teorike shkencore, parimet, synimet, si dhe detyrat konkrete praktike i kanë të njëjta.
    FDGjSh,2011, është një vepër e re shumë e vëllimshme me 925 faqe dhe me rreth 75000 fjalë, pra, është vepra më e madhe leksikografike e gjersotme kushtuar shqipes. Në këtë rast kemi të bëjmë me një botim privat; vepra është hartuar me nismën e dy gjuhëtarëve shqiptarë me përvojë të gjatë shkencore e pedagogjike universitare, njohës shumë të mirë të teorisë gjuhësore bashkëkohore, të shqipes standarde dhe të toskërishtes si jugorë të lindur; janë autorë të disa veprave, monografive e librave dhe të shumë artikujve gjuhësorë nga gjuhësia teorike e gjuhësia shqiptare. Bien në sy sidomos arritjet e Ali Dhrimos në fushën e morfologjisë, në studimin e shqipes standarde, në drejtimin si kryeredaktor i revistës shkencore “Gjuha Jonë”, në hartimin e një fjalori gjermanisht-shqip dhe shqip-gjermanisht shumë të pasur; po kështu të shumta janë ndihmesat e Rami Memushajt në fushën e teorisë gjuhësore, duke hartuar “Hyrjen në gjuhësi” dhe duke trajtuar tema të veçanta nga kjo fushë; ai është ndër të parët studiues shqiptarë që e njeh botën shkencore  shqiptare me rrymat bashkëkohore në gjuhësi, siç është strukturalizmi amerikan e gjenerativizmi; për t’u theksuar është edhe përvoja e pasur e tij në mësimdhënie në auditoret universitare, përfshirë leksionet e seminaret për drejtshkrimin e shqipes.
Të ndalemi tani në disa vlera të veprës FDGjSh,2011, hartimi i së cilës i ka kërkuar autorëve shumë punë. Vështirësitë me të cilat janë përballur, i kanë kapërcyer jo vetëm me punë të ngulët e përkushtim, por edhe falë përgatitjes së tyre teorike  e përvojës së pasur në njohjen e shqipes standarde, të normës së saj dhe të kulturës së gjuhës. Parimet e përgjithshme, mbi të cilat janë mbështetur, siç janë ruajtja e sistemit, thjeshtimi i rregullave dhe pasqyrimi i së resë në normë etj, janë plotësisht të sakta.
Po përmendim disa vlera kryesore të veprës:
Së pari, FDGjSh,2011 është një mbështetje e re serioze, pas gati dyzet vjetësh, në fushën e normës gjuhësore: duke ruajtur plotësisht sistemin e normës, ajo do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shqipes standarde. (Autorët i kanë njohur, i kanë zbatuar e pasqyruar gjerësisht normat drejtshkrimore të veprave  kodifikuese akademike në fuqi, që janë në zbatim, siç janë Fjalori 1980, Drejtshkrimi 1973, Fjalori Drejshkrimor 1976.)
Së dyti, autorët përpiqen të pasqyrojnë shqipen standarde të ditëve tona, e cila, si organizëm e gjallë, natyrisht, ndodhet në një shkallë të re zhvillimi e pasurimi. Autorët synojnë paraqitjen e normës gjuhësore në fazën aktuale, në radhë të parë, në fushë të leksikografisë, nëpërmjet pasurimit të guximshëm, në përmasa shumë të gjera, të leksikut të drejtshkrimuar, me më shumë se dyfishin e fjalëve të Fjalorit Drejtshkrimor të parë (1976); gjithashtu edhe në fushë të morfologjisë dhe të fjalëformimit informacioni është pasuruar. Më lejoni të përmend këtu vetëm drejtshkrimin e një fjale që praktika e sotme e përdor gabim : fjala e re medie jepet me të drejtë në Fjalor edhe në trajtë të pashquar (medie) (gabimisht në vend të saj në praktikën e përditshme përdoret trajta e shquar : në media, në vend të në medie; por për shumësin unë do të parapëlqeja mediat dhe jo mediet). Së treti, interes të madh paraqit zgjerimi i konsiderueshëm i çështjeve të trajtuara: në radhë të parë, rritja  e numrit të fjalëve, kryesisht leksiku me burim nga trevat veriore, përfshirë ato kosovare, si dhe leksiku abstrakt e intelektual, përfshirja e fjalëve e shprehjeve të huaja e referimi te fjala gjegjëse shqipe normative, përfshirja e emërtimeve gjeografike, rritja e informacionit për format eptuese të fjalëve, sidomos i formave të parregullta, pasqyrimi i disa fjalëve të reja, krijuar sipas tipeve flalëformuese më prodhimtare, etj. Kjo mund të vërtetohet konkretisht nëpërmjet materialeve e fakteve. Po përmend vetëm rastin e dhënies së fjalëve të huaja dhe gjegjëset e tyre shqipe, duke përdorur fjalën “shih”, si p.sh. :  promovoj, shih paraqis; inauguroj, shih përuroj, lidërship, shih udhëheqje etj. Kjo , pa tjetër, ndihmon në mënjanimin e fjalëve të huaja, sepse kështu lexuesit  i bëhet e qartë fjala që duhet të përdorë në vend të fjalës së huaj.
Së katërti, FDGjSh,2011, sjell edhe një varg risish e zgjidhjesh të reja, duke zëvendësuar ndonjë rregull drejtshkrimor dhe drejtshkrimin  aktual të disa fjalëve. Më vjen mirë që ndonjë nga bashkautorët  e veprës, ndryshe nga qëndrimi i tij i mëparshëm, në këtë vepër pranon disa ndryshime a modifikime rregullash të Drejtshkrimit, 1973. Shumëkush nuk do ta miratonte këtë qëndrim të ri të FDGjSh,2011, duke e parë si kundërvënie me normën zyrtare, ose si një pështjellim në paraqitje, por autorët e kanë zgjidhur problemin me zgjuarsi, duke përdorur ngjyrën e kuqe në paraqitjen e risive. Unë pajtohem me disa nga këto qëndrime të  reja të mbajtura në këtë botim, por kjo nuk është gjithmonë meritë e autorëve të FDGjSh,2011, sepse shumë prej zgjidhjeve të reja të këtij fjalori janë shtruar gjatë dyzet vjetëve të fundit, që nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972) deri në Konsultën e Durrësit (dhjetor 2010). Ndër të tjera, pajtohem me drejtshkrimin pa ë fundore të emrave të gjinisë mashkullore, si lum, djal, burr, uj, djath dhe shumësat djathra, ujra dhe me fjalët e prejardhur prej tyre; me mënjanimin e dysorëve të shumësave të disa emrave, në drejtshkrimin e fjalës Europë për Evropë e derivatet e saj etj. Pajtohem me qëndrimin e rezervuar për ruajtjen e ë-së paratheksore, duke parapëlqyer qëndrimin tradicional (argëtoj, bagëti, këpucë, fëmijë, kënaq, anëtar, botëror, armiqësi).
    Vepra FDGjSh,2011, jo vetëm që do të plotësojë më së miri nevojat e ditës në rrethanat e mungesës në treg të Drejtshkrimit,1973, dhe të FDGjSh,1976, por do të ndihmojë në drejtshkrimin e shumë fjalëve të reja, të fjalëve të huaja, të emërtimeve gjeografike si dhe do të informojë gjerësisht për sistemet eptuese të foljeve etj.
Autorët me guxim kanë bërë përpjekjen e parë për hartimin e një fjalori shumë më të gjerë të shqipes standarde, duke bërë realitet një nevojë e mundësi të shqipes; për këtë autorët kanë  përzgjedhur e ngritur në normë shumë fjalë të botuara në fjalorë të ndryshëm  ose fjalë që janë në qarkullim, duke dhënë shpesh edhe sinonimet e tyre. Kuptohet se në këto rrethana kemi të bëjmë jo thjesht me një fjalor drejtshkrimor, por me një vepër normativizuese më të gjerë, që përfshin disa nënsisteme apo hallka të shqipes standarde. Siç dihet, kërkesa për hartimin e  një fjalori të ri më të gjerë të shqipes standarde është shtruar kohë më parë.
Vepra do të mirëpritet në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare, ajo do të jetë shumë shpejt libër tavoline i nevojshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe private, për të gjitha redaksitë e gazetave, revistave, radiove, televizioneve, për shkollat, arsimtarët, studentët dhe familjet. Botimi është realizuar në mënyrë të shkëlqyer nga pikëpamja tipografike, ai është lehtësisht i përdorshëm; INFBOTUES me këtë botim e radhit veten në krye të tipografisë shqiptare.
     Natyrisht, për një vepër gjuhësore të tillë me vlera kombëtare, me përmasa kaq të mëdha dhe që do të ketë një përdorim shumë të gjerë në praktikën shkrimore të përditshme, vërejtjet e analizat nuk do të mungojnë, sidomos pas njohjes më të mirë të saj gjatë përdorimit. Më lejoni tani të bëj ndonjë sugjerim dhe vërejtje paraprake me rastin e paraqitjes së kësaj vepre (para tri javësh kjo vepër u paraqit para botës intelektuale në Universitetin “A.Xhuvani” Elbasan): (1) FDGjSh,2011 më rezulton si vepër e parakohshme dhe e papritur; një vepër si kjo pritej të hartohej e të botohej pas ribotimit të përmirësuar të Drejtshkrimit,1973, ribotim ky që po zgjatet çuditërisht shumë! Megjithatë puna e lavdërueshme e kryer, përmasat e gjera të veprës dhe shumësia e çështjeve të trajtuara, rezultati i arritur, kompetenca e autorëve dhe titulli modest “Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” dhe jo “Fjalori…” e përligjin një ndërmarrje të tillë. Jam i sigurt se pas ribotimit të rishikuar të Drejtshkrimit, 1973, autorët tanë do ta kenë të lehtë hartimin e “Fjalorit Drejtshkrimor” zyrtar të shqipes standarde. Që të dyja këto punë nuk do të jenë ndërmarrje të largëta. Sigurisht shqipja standarde e ka të nevojshme një fjalor drejtshkrimor zyrtar pas ribotimit të Drejtshkrimit 1973 të rishikuar, i cili do të jetë i treti fjalor i shqipes standarde dhe që do të zbatohet në vite e vite për shumë dhjetëvjeçarë. (2) Për përfshirjen e njësive leksikore me burim dialektor kam disa rezerva. Dialektet janë burime të pasura, por në zgjedhjen e lëndës leksikore nga dialektet duhet treguar shumë kujdes kur është fjala për hartimin e një fjalori të shqipes standarde. Parimi themelor tashmë është i mirënjohur dhe është zbatuar fillimisht nga Kristoforidhi në Fjalorin e tij, por edhe më vonë nga fjalorë të tjerë, si nga Fjalori1954 dhe nga Fjalori 1980 etj. Në fjalorin e shqipes standarde mund të përfshihet e të ligjësohet çdo fjalë me burim dialektor që nga pikëpamja kuptimore a stilistikore sjell diçka të re për standardin.     (3) Risitë e zgjidhjet e reja, përfshirë prirjet e reja të shqipes standarde, për mendimin tonë, duheshin plotësuar e pasqyruar më mirë: Nga njëra anë, ka prirje të tjera shumë të qarta e të vërtetueshme që meritonin të pasqyroheshin, si: ngritja në normë e shumësave të emrave  e mbiemrave me - j në vend të – nj ( ullij,ftoj, barij,lumej; të mëdhej,të rij ) (në vend të ullinj,të mëdhenj); ngritja në normë e foljeve me -s në temë në vend të -t (mas, prashis në vend të mat, prashit); shkrimi pa vizë dhe i veçantë i fjalës ish në tipin ish drejtor, ish ministër, ish i përndjekur (në vend të ish-drejtor e tj); shkrimi me ë të theksuar dhe jo me e të fjalëve i gjërë, gjërësi (dhe jo i gjerë, gjerësi, që përbën një përjashtim të pambështetur); zgjerimi i përdorimit të shkronjave të mëdha në disa kategori emrash e togfjalëshash etj. Nga ana tjetër, disa ndryshime të pasqyruara në FDGjSh, 2011, më duken si jo të goditura, në ndonjë rast të papranueshme, si p.sh. foljet hipi, eci, iki, që drejtshkruhen pa i fundore (hip, ec, ik;  trajtat pa zanoren fundore –i tingëllojnë si artificiale dhe si ndërhyrje në gjuhë; ato janë të panjohura për standardin, shumë-shumë janë trajta periferike dialektore); unë jam edhe kundër grafemës Ë dhe përfshirjes në Fjalor të disa fjalëve me të (shih faq.925). (4) Për paraqitjen e veprës kam ndonjë sugjerim: Për titull do të parapëlqeja “Fjalor drejtshkrimor i shqipes standarde”; paraqitja e fjalëve në rrokje nuk më duket shumë praktike dhe funksionale; kollonat në faq. XXVII e vazhdim të kishin tjetër vendosje:në fillim Norma e pastaj Norma e propozuar; Literatura është shumë e varfër, mungojnë madje edhe Drejtshkrimi 1973, Gramatika e Akademisë, 1995 dhe vepra të tjera; Parathënia e veprës nuk është ndërtuar mirë; Fjalori është hartuar sipas koncepteve gramatikore më të përparuara (kujto p.sh. vështrimin në një leksemë të foljeve veprore e pësore), megjithatë ka vend për vërejtje, siç është rasti kur disa fjalë duhen interpretuar si folje, e jo si mbiemra a ndajfolje. FDGjSh,2011 duhej të mbështetej më shumë në gjetjen e fjalëve në përdorim sesa në përzgjedhjen e fjalëve të nxjerra nga fjalorët, por pa i verifikuar sa duhet në praktikë. Ka fjalë në përdorim që nuk gjenden në këtë fjalor, p.sh. parafjalët foljore etj. (le të përmendim një fjalë që njëri nga dy  autorët e ka përdorur shumë herë në një vepër të tij, siç është folja gjeneron, por që nuk gjendet në  këtë Fjalor). Do të ishte mirë që në hartimin e kësaj vepre të kishte edhe një bashkautor të tretë; veprat e mëdha me vlera gjithëkombëtare kërkojnë punë me ekip të gjerë; mirë do të ishte që vepra të botohej pasi të shihej më parë edhe nga dy-tre recensentë dhe pas diskutimeve në departamente të gjuhës në universitete. Punët e mëdha kanë nevojë për shumë mendje.
Këshilloj që FDGjSh,2011 të përdoret gjerësisht nga të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata, të gjithë duhet të përdorin vetëm normën zyrtare, trajtën normative, që në vepër jepet nga autorët me të zeza, dhe jo normën e ndryshuar, që jepet në ngjyrë të kuqe; rasti i botimit të kësaj vepre do të shërbejë si nxitje për Qendrën e Studimeve Albanologjike që sa më shpejt të ribotojë Drejtshkrimin,1973, të përmirësuar, dhe, menjëherë pas këtij botimi, i vjen radha ribotimit të FDGjSh,2011 të A.Dhrimos dhe R.Memushajt, por këtë radhë, si Fjalor drejtshkrimor zyrtar; për mendimin tonë, duke e rritur numrin e autorëve të paktën edhe me një autor të tretë.

(Fjala e mbajtur në Akademinë e Shkencave, me rastin e paraqitjes së FDGjSh, më 27.6.2011)

June 15 2011

June 14 2011

Older posts are this way If this message doesn't go away, click anywhere on the page to continue loading posts.
Could not load more posts
Maybe Soup is currently being updated? I'll try again automatically in a few seconds...
Just a second, loading more posts...
You've reached the end.